Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret formimin e qeverisë së re në Mal të Zi që t’i fillojnë takimet e përbashkëta ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, siç u zhvilluan me shtetet tjera të rajonit – Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se temë diskutimi do të jetë edhe çështja e demarkacionit me këtë shtet, i ratifikuar katër vjet më parë.
I pyetur në katërvjetorin e miratimit të demarkacionit të kufijve me Malin e Zi, Kurti ka thënë se qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8 200 hektarë të territorit të Kosovës.
“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte përbrenda elemente pro ruse, përveçse pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, ka thënë ai.
“Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut, edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re”, shtoi Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se shpreson që Mali i Zi të ketë kushte të reja për këtë çështje,
“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm ia dha Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës”, ka përfunduar ai.
(Kohapress/Koha Net)
