Kundër pjesëmarrjes në qeverinë e rae të Malit të Zi

Dy partitë më të vjetra të shqiptarëve në Malin e Zi – Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve janë shprehur kundër pjesëmarrjes në qeverinë e re të Malit të Zi, që pritet të formohet këto ditë.
Përmes një deklarate për shtyp, LD në MZ ka bërë të ditur se në konsultimet e fundit të kryesisë së kësaj partie politike si dhe të kryesive të degëve, njëzëri është vendosur për mospërkrahjen e formimit të qeverisë së re të Malit të Zi.
Nga kjo parti kanë shprehur keqardhje dhe indinjatë që partnerët e koalicionit Aleanca Shqiptare, pa u konsultuar me ta, kanë marrë vendim që të jenë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi.
“Përmes diskutimeve të kafeneve (duke na telefonuar në momentin e fundit për të nënshkruar marrëveshjen), pranuan që të legjitimojnë një qeveri me orientim prorus, antishqiptar dhe antiqytetar”, thuhet në deklaratën për shtyp.
LD në MZ thekson se si parti nacionale ka qenë gjithmonë krah dhe mbështetëse e proceseve shtetndërtuese e properëndimore, por e ka detyrë që në të njëjtën kohë të mbrojë identitetin tonë kombëtar e kulturor, ashtu siç ka bërë gjithmonë.
Edhe UDSH ka marrë vendim që të mos përkrahet përbërja e re e qeverisë së ardhshme të Malit të Zi, sepse është në kundërshtim me parimet programore dhe ideologjike të kësaj partie.
Në deklaratën për shtyp theksohet se kjo parti ka qenë e gatshme që të ndihmojë formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, në të cilën do të mbizotëronte shpirti i Malit të Zi qytetar.
“Por fatkeqësisht nuk kishte forcë dhe gatishmëri të mjaftueshme, ndaj mbizotëruan idetë dhe forcat që e çojnë Malin e Zi në luftë për mbijetesë. Shpresuam këto ditë që të mbizotëronte arsyeja dhe ideja e Malit të Zi qytetar dhe multinacional, por më kot”, thuhet në deklaratë.
Për këtë arsye, UDSH thekson se mbetet në fuqi vendimi i Këshillit Qendror të saj, se nuk kanë çfarë të kërkojnë “në shoqërinë e politikave të prapambetura dhe retrograde, të cilat e largojnë Malin e Zi çdo ditë e më shumë nga idetë euroatlantike”.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 11 qershor 2023, LD në MZ ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor Aleanca Shqiptare (Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, LD në MZ, Lista për Tuzin), kurse UDSH pjesë e koalicionit parazgjedhor “Bashkë” (Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Partia Liberale, UDSH).
Në bisedimet për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, deputeti dhe kryetari i UDSH-së Mehmed Zenka, i ka ofruar mbështetje mandatorit Millojko Spajiq për sigurimin e shumicës qeverisëse, pjesë e së cilës nuk ka qenë koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”. Po ashtu, pak kohë më parë, ai së bashku me dy deputetët e koalicionit Forumi Shqiptar kanë formuar klubin e përbashkët të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat