Tuz – Seanca konstitutive e Kuvendit të Komunës së Tuzit u mbajt të hënën (27 mars 2023), në të cilën u bë verifikimi i mandateve të këshilltarëve të përbërjes së re të Kuvendit të Komunës së Tuzit, në bazë të raportit të Komisionit Komunal Zgjedhor mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të cilat u mbajtën në Komunën e Tuzit më 5 mars 2023.
Kjo seancë konstitutive u udhëheq nga këshilltari më i vjetër, Smail Çunmulaj i cili fillimisht falënderoi të gjithë qytetarët e Malësisë për votëbesimin që i është dhënë Forumit Shqiptar, por edhe për civilizimin e treguar në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë fushatës parazgjedhore.
Në këtë seancë konstitutive u bë emërimi i kryetarit të Kuvendit të Komunës së Tuzit.
Për kryetar të Kuvendit të Komunës së Tuzit u rizgjodh z. Fadil Kajoshaj, i cili mori gjithsejt njëzetenjë votë, njëzetë të shumicës parlamentare të përbërjes së re (Forumit Shqiptar, Demokratëve dhe këshilltarit të pavarur Adnan Pepiq), ndërsa nga opozita emërimin e z. Kajoshaj e mbështeti këshilltari, Husein Gjokoviq nga Lëvizja për Tuzin. Të përmbajtur ishin këshilltarët e koalicionit “Rrugës së drejtë”.
Në të njëjtën kohë, pas votimin të fshehtë dhe konfirmimit të mandatit në periudhën katërvjeçare të kryetarit të Kuvendit të Komunës së Tuzit, z. Fadil Kajoshaj para se të bënte betimin për marrjen e detyrës, falënderoi të gjithë ata që e votuan Forumin Shqiptar në zgjedhjet e 5 marsit si dhe partinë e tij, Unionin Nacional Shqiptar.
Në deklaratën solemne të betimit Kajoshaj tha: “Solemnisht marr përsipër që detyrën e kryetarit të Kuvendit do ta kryej në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe Statutin e Komunës së Tuzit”.
Rikujtojmë se shumicën absolute në zgjedhjet e 5 marsit e fitoi Forumi Shqiptar në përbërje të të cilit janë Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi – 18 këshilltarë, ndërsa koalicioni “Rrugës së drejtë” i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Boshnjake, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Socialdemokratët morën 12 këshilltarë, Demokratët – 1 këshilltar, dhe Partia Socialdemokrate – Lëvizja për Tuzin – 1 këshilltar.
t. u.