Qeveria e Malit të Zi dhe Komuna e Ulqinit kanë ndërmarrë një hap vendimtar drejt menaxhimit të qëndrueshëm dhe institucional të Parkut të Natyrës “Kriporja e Ulqinit”, duke nënshkruar kontratën për themelimin e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar që do të jetë përgjegjëse për administrimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e kësaj zone me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike.
Kontrata u nënshkrua të premten, më 30 janar 2026, nga ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Veriut, Damjan Qullafiq, dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në prani të përfaqësuesve të lartë shtetërorë, diplomatikë dhe të shoqërisë civile.
Me këtë rast, ministri Qullafiq theksoi se Kriporja e Ulqinit nuk është një zonë e mbrojtur klasike, por një simbol i vetëdijes shtetërore dhe shoqërore për rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore.
“Kriporja e Ulqinit nuk është një zonë e mbrojtur klasike, por një simbol i vetëdijes sonë, si shtet me territor të vogël, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme të ruajmë atë që kemi. Kriporja është dëshmi e patriotizmit, përmbushja e obligimeve tona dhe një përgjegjësi e përhershme, të cilën si Ministri e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Veriut e marrim me përkushtim”, deklaroi ai.
Qullafiq theksoi se, pas mbylljes zyrtare të Kapitullit 27 në procesin e integrimit evropian, zgjidhja e çështjes së menaxhimit të Kripores ishte një nga obligimet më të rëndësishme që Mali i Zi kishte përpara.
“Kriporja e Ulqinit është krenaria e Ulqinit dhe e gjithë Malit të Zi, dëshmi e gjallë se natyrën mund ta ruajmë me përgjegjësi, dashuri dhe vizion për të ardhmen. Ajo është ambasadore e Malit të Zi, një vend ku ekologjia dhe tradita takohen në mënyrë të qëndrueshme. Prandaj sot qëndrojmë me krenari para partnerëve tanë evropianë, sepse kemi treguar se si shoqëri kemi vlera dhe dimë të biem dakord për çështje të rëndësishme”, ka thënë ai.
Ministri shtoi se, ndonëse disa procese kanë zgjatur më shumë sesa pritej, koha ka treguar se ky vendim po merret në momentin e duhur.
“Edhe pse dukej se disa procese zgjatën shumë, besoj se disa gjëra nuk mund të ndodhnin më herët dhe se tani po ndodhin në kohën e duhur, në këtë rast para raundit tonë final të përmbushjes së obligimeve dhe mbylljes së Kapitullit 27”, përfundoi Qullafiq, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar sinqerisht në finalizimin e çështjes së Kripores së Ulqinit.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, e cilësoi nënshkrimin e kontratës si një vendim historik për qytetin dhe për brezat e ardhshëm.
“Po nënshkruajmë vendimin që Kriporja e Ulqinit të mbrohet përgjithmonë, të rindërtohet dhe të menaxhohet me përgjegjësi, në interes të qytetarëve të Ulqinit, ish-punëtorëve të Kripores dhe brezave të ardhshëm”, ka thënë Nimanbegu.
Ai rikujtoi se marrëveshja politike për shpalljen e Kripores Park i Natyrës është arritur që në vitin 2016, ndërsa Kuvendi i Komunës së Ulqinit e ka formalizuar këtë status në vitin 2019.
“Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025 kemi punuar me përkushtim në zbatimin e këtij vendimi dhe krijimin e kushteve për menaxhim ligjor dhe të qëndrueshëm”, theksoi Nimanbegu.
Sipas tij, Ulqini ka zgjedhur qartë vlerat afatgjata përpara interesave afatshkurtra.
“Pasuritë natyrore nuk janë objekt shitjeje, por trashëgimi që e ruajmë dhe e zhvillojmë”, u shpreh ai.
Rëndësia ekologjike dhe perspektiva e zhvillimit
Kriporja e Ulqinit shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1477 hektarësh dhe konsiderohet një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në rajon, veçanërisht për shpendët migratorë. Ajo është e regjistruar edhe në Listën Ramsar të ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, si dhe njihet si një nga habitatet më të rëndësishme të shpendëve në Evropën Juglindore.
Themelimi i ndërmarrjes së re pritet të krijojë bazën për menaxhim të qëndrueshëm, restaurim ekologjik, zhvillim të turizmit natyror, si dhe për ringjalljen e prodhimit tradicional të kripës, në përputhje me standardet mjedisore evropiane.
Në ditën e ceremonisë së nënshkrimit të pranishëm ishin edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, ambasadori i Gjermanisë Peter Felten, ministri i Financave Novica Vukoviq, si dhe përfaqësues të Qendrës për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (CZIP) dhe shoqatës Dr. Martin Schneider Jacoby (MSJA), të cilët prej vitesh kanë qenë të angazhuar në mbrojtjen e Kripores së Ulqinit.
Ky zhvillim vlerësohet gjerësisht si një pikë kthese në politikat mjedisore të Malit të Zi dhe një shembull i bashkëpunimit ndërmjet qeverisë qendrore, pushtetit lokal dhe partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e pasurive natyrore me rëndësi kombëtare dhe evropiane.
D. Teliqi
