Ulqin – Pasi nga Ndërmarrja Publike “Parqet Kombëtare të Malit të Zi” jemi njoftuar se nga data 23 gusht nuk do të menaxhojë më Kriporen e Ulqinit, e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë është vendimi që kjo zonë e bukur në Komunën e Ulqinit të menaxhohet nga vetëqeverisja lokale, ka thënë në një deklaratë për shtyp kryetari i Partisë Demokratike dhe deputeti i Koalicionit Shqiptar “Bashkë nji za”, Fatmir Gjeka.
Sipas tij, kjo është e nevojshme edhe sepse me vendim të Parlamentit tonë Kriporja është shpallur Park i Natyrës në qershor të vitit 2019.
“Gjithashtu, detyrimi ynë ishte të formonim një kompani që do të menaxhojë Kriporen, çka ende nuk është bërë dhe e cila duhet të bëhet urgjentisht. Sidomos pasi Këshilli i Privatizimit kohët e fundit kumtoi se zona e Kripores është pronë shtetërore. Unë besoj se Komuna e Ulqinit mund të sigurojë fonde për mirëmbajtjen e biodiversitetit dhe shërbimin e rojeve me mbështetjen e Qeverisë dhe institucioneve të tjera. Ish-punonjësit e Kripores, përfaqësues të organizatave joqeveritare, shumë miq të Kripores në Evropë dhe botë, do të jenë ndihma dhe mbështetja jonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Gjeka ka thënë se sigurisht është kënaqësi që qeveria gjermane ka shprehur gatishmëri për të investuar në rinovimin e prodhimit të kripës dhe ruajtjen e vendpushimit në Kripore.
“Shumë thjesht, vendimi që Komuna e Ulqinit të menaxhojë këtë zonë tonën na është imponuar vetvetiu dhe ne duhet ta bëjmë këtë. Sigurisht, kjo duhet të insistohet në bisedimet me Qeverinë e Malit të Zi”, ka deklaruar ai.
(Kohapress)
