Krijohet shumica e re qeverisëse

Ulqin – Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Partia Boshnjake kanë bërë të ditur të hënën (13 maj 2024) përmes një konference për shtyp se kanë krijuar shumicën e re qeverisëse në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
Koalicioni i ri qeverisës është formuar si pasojë e krizës së koalicionit të deritashëm qeverisës ndërmjet partnerëve të koalicionit “Fillimi i Ri” (Lëvizja Qytetare Ura, PD, SD, PSD, Alternativa Shqiptare) dhe Forcës së Re Demokratike. Lëvizja Qytetare URA ka akuzuar Forcën e Re Demokratike për prishjen e këtij koalicioni për shkak të bisedimeve të fshehta që ka zhvilluar pa dijeninë e partnerëve të koalicionit, ndërkohë që nga Forca e Re Demokratike dhe Partia Demokratike e kanë akuzuar Lëvizjen Qytetare URA për prodhimin artificial të krizës me qëllim të moszbatimit të marrëveshjes së koalicionit, e cila ka parashikuar ndërrimin e kryetarit të Komunës pas dy vitesh qeverisjeje dhe që në krye të Komunës së Ulqinit nga 2 qershori i këtij viti të jetë përfaqësuesi i Forcës së Re Demokratike. Kriza është thelluar akoma më tej kur kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, pa ndonjë arsyetim, ka shkarkuar disa sekretarë që vijnë nga radhët e Forcës së Re Demokratike, duke vendosur në vend të tyre kuadro që vijnë nga radhët e UDSH-së.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur ditë më parë, kryetarët e Forcës së Re Demokratike dhe Partisë Demokratike, Genci Nimanbegu dhe Fatmir Gjeka, kanë bërë të ditur se koalicioni “Fillimi i Ri” nuk ekziston më.
Ndërkaq duke prezantuar koalicionin e ri qeverisës, kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, i cili pritet të jetë kryetar i ri i Komunës së Ulqinit, ka thënë se ky është një koalicion që duhet të sigurojë stabilitet dhe një siguri që pushteti në Komunën e Ulqinit do të vijojë sipas nevojave të qytetarit.
“Në këto momente unë nuk do të kem eufori, por do të kemi një entuziazëm dhe një siguri që ky pushtet do t’i japë Komunës së Ulqinit një stabilitet… Të jeni të sigurt që ky nuk do të jetë koalicion hakmarrës. Ky do të jetë koalicion pune, stabiliteti dhe koalicion i cili sigurisht nga përvoja e kaluar ka shumë përvojë që këtë qytet ta çojë përpara”, ka thënë ndër të tjera ai.
Sipas marrëveshjes së koalicionit, Forcës së Re Demokratike do t’i takojë kryetari i Komunës së Ulqinit, kurse Partisë Demokratike të Socialistëve kryetari i Kuvendit. Ndërkaq Partia Demokratike dhe Socialdemokratët do të kenë dy nënkryetarët e Komunës.
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e koalicionit të ri qeverisës ka reaguar kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari nga Lëvizja Qytetare URA, i cili shumicën e re e ka quajtur “sezonale”.
“E kaluara nuk mund të bëhet e ardhme, sepse e kaluara na ka dëshmuar se shumicës së politikanëve në Ulqin nuk i ka interesuar kurrë marrëveshja dhe për fat të keq, as zhvillimi i qytetit. Pas punës së palodhur dhe përkushtimit si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, fituam prapë një garniturë të harxhuar e cila i shkaktoi kaq shumë dëme këtij qyteti.
Gjithçka duket si një rikthim në 2018. Nuk kam dyshim që shumica e re nuk ka vizion, sepse as që e kanë pasur ndonjëherë”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin shoqëror Facebook.
Sipas tij, rruga e nisur prej tyre është e vetmja mundësi e sigurt që Ulqini më në fund të bëhet një qytet i rregullt dhe i pasur.
“Prandaj jam i sigurt se qytetarët do të binden shpejt për synimet e shumicës së re dhe ta klasifikojnë si një shumicë e karakterit sezonal. Na qoftë për hair!”, ka shkruar Bajraktari.
Përpos Lëvizjes Qytetare URA, pjesë e koalicionit të ri nuk do të jetë më as Alternativa Shqiptare, ndërsa pjesë e tij do të jenë PDS, LD në MZ dhe PB, parti që deri tani kanë qenë në opozitë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat