Kosova, ndër demokracitë më të suksesshme në rajon

Podgoricë – Ambasada e Republikës së Kosovës në Podgoricë ka shënuar të mërkurën e kaluar (26 shkurt 2025) 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një ceremoni solemne në Hotelin “Hilton” në Podgoricë.
Në fjalën e rastit, ambasadorja e Kosovës, Ariana Zherka – Hoxha ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës 17 vjet më parë shënon një epokë të re në historinë e saj.
“Data 17 Shkurt ka një domethënie të thellë për ne, duke shërbyer si një moment reflektimi dhe krenarie teksa kujtojmë rrugëtimin e vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë. Sot teksa nderojmë të gjitha gjeneratat që sakrifikuan për lirinë, kujtojmë viktimat e luftës, themeluesit e shtetësisë sonë dhe luftëtarët e lirisë. Duke njohur sakrificat e tyre, ne kuptojmë çmimin e lartë që kemi paguar për të arritur këtë moment vendimtar. Prandaj, ne jemi të përkushtuar për të ruajtur lirinë tonë të fituar me mund dhe për të ecur përpara drejt një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike, të integruar në familjen euroatlantike”, ka theksuar ajo.
Ambasadorja e Kosovës ka thënë se kjo është një ditë e veçantë për të reflektuar mbi rrugën e gjatë dhe të vështirë të Kosovës dhe popullit të saj drejt lirisë dhe pavarësisë, por edhe për t’i festuar arritjet në këtë rrugë historike.
“Gjatë viteve, Kosova ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në parimet e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe drejtësisë sociale. Ne kemi ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, kemi forcuar median e pavarur dhe kemi zhvilluar një shoqëri civile dinamike. Mbi të gjitha, kemi promovuar diversitetin kulturor dhe tolerancën, duke pranuar rëndësinë e shoqërisë sonë multietnike dhe multikonfesionale”, ka thënë ajo.
Zherka – Hoxha ka vlerësuar edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, derisa ka pohuar se sot Kosova qëndron ndër demokracitë më të suksesshme në rajon, duke zënë një vend të rëndësishëm në skenën globale, si një partner i përgjegjshëm dhe i respektuar.
Të pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin ndër të tjerë edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ministrat Marash Dukaj e Fatmir Gjekaj, kryetarët e komunave të Ulqinit dhe Tuzit, përfaqësues të korit diplomatik, partive politike, organizatave joqeveritare, medias etj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat