Guci – Në sallën e Komunës së Gucisë për seanca, takime dhe tubime publike, të enjten (27 shkurt 2025) është mbajtur konferenca me rastin e përfundimit të projektit “Aksioni i përbashkët i mbrojtjes së mjedisit jetësor”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit të bashkëpunimit tejkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020.
Projektin e kanë zbatuar Komuna e Gucisë (Mali i Zi) dhe Bashkia e Pukës (Shqipëri) me qëllim të kontributit në mbrojtjen e mjedisit jetësor në rajonin tejkufitar përmes infrastrukturës më efikase dhe moderne të menaxhimit të mbeturinave. Me realizimin e këtij projekti janë përmirësuar kapacitetet teknike të ndërmarrjeve komunale, kurse fokus i përbashkët i projektit ka qenë promovimi i ndërgjegjes ekologjike te rinia dhe qytetarët përmes stërvitjeve dhe aksioneve të përbashkëta për grumbullimin e mbeturinave në komunat e përmendura.
Ne konferencë kanë folur menaxhuesi i projektit, Shaban Prelvukaj nga Komuna e Gucisë, nënkryetari i Bashkisë së Pukës, Ferit Ringaj, dhe bashkëpunëtorja në realizimin e projektit, Amellija Shehoviq.
Në fjalën e vet, menaxhuesi i projektit Shaban Prelvukaj ka nënvizuar rëndësinë e tij për të dyja komunat.
Ai ka falënderuar BE-në për mbështetjen financiare dhe ekipin e projektit në realizimin e suksesshëm të tij.
Prelvukaj po ashtu ka theksuar se ndërmarrjet komunale në të dyja komunat, përmes blerjes së pajisjeve, në radhë të parë të automjeteve të specializuara për grumbullimin e mbeturinave dhe aftësimit të personave për t’u ofruar shërbime cilësore banorëve, por edhe turistëve, të cilët gjithnjë e më shumë i vizitojnë këto dy komuna.
Nënkryetari i Bashkisë së Pukës, Ferit Ringaj, i cili e ka kryesuar delegacionin pesëantarësh, në fjalën e rastit ka falënderuar për bashkëpunim Komunën e Gucisë dhe ka shprehur kënaqësinë që projekti ka arritur rezultate dhe i ka kontribuuar mbrojtjes më të mirë mjedisit jetësor.
Ai ka shprehur besimin se komunat do të vazhdojnë bashkëpunimin, mu në ftesën e radhës, për dorëzimin e propozimeve të projekteve që janë duke u përgatitur.
Projekti “Aksioni i përbashkët i mbrojtjes së mjedisit jetësor” ka arritur rezultate në tri komponente: rritjen e kapacitetit të ndërmarrjeve komunale publike për menaxhimin e mbeturinave përmes blerjes së kamionëve për transportimin e mbeturinave, blerjes së kontejnerëve dhe kovave për grumbullimin e mbeturinave, blerjes së uniformave për punëtorët e ndërmarrjeve komunale, të policisë komunale dhe shkëmbimit të përvojave dhe njohurive përmes organizimit të vizitave me karakter studimor.
Komponenti i dytë i projektit ka qenë i përqendruar në avancimin e njohurive të rinisë mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe menaxhimin e mbeturinave, andaj përmes projektit janë organizuar punëtori edukative për nxënës të shkollave fillore në Guci dhe Pukë. Një segment tjetër kanë qenë nismat e eko gjeneratave, garat shkollore në temën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe aktivitetet tjera përcjellëse të karakterit edukativ.
Komponenti i tretë ka të bëjë me kyçjen e aktiviteteve në fokusin e të cilëve ka qenë avancimi i infrastrukturës lokale në fushën e menaxhimit të mbeturinave, vendosjen e mobilierit me vështrim të veçantë në promovimin e rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe menaxhimit publik me mbeturina përmes hartimit të materialeve promovuese dhe aplikimeve me të cilat është bërë i mundur ndërveprimi i qytetarëve me vetëqeverisjen lokale në temën e mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Përfaqësuesit e dy komunave (Guci dhe Pukë) kanë nënshkruar memorandumin mbi bashkëpunimin e ndërsjellë, duke konfirmuar gatishmërinë, dëshirën dhe vullnetin që edhe në të ardhmen të realizojnë projekte me interes të përbashkët në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, por edhe në lëmi të tjera.
Shaban Hasangjekaj