Podgoricë – Ambasada e Republikës së Shqipërisë ka organizuar të hënën mbrëmje pritje në hotelin “Hilton” në Podgoricë me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e rastit, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ernal Filo, vuri në dukje marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Ai po ashtu ka folur për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, të konkretizuar me realizimin e projekteve të reja ekonomike dhe sociale, kryesisht ato ndërkufitare.
Filo ka shprehur bindjen se takimi i parë i përbashkët ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi në pranverën e vitit të ardhshëm në Shkodër do të forcojë edhe më tepër këtë bashkëpunim dhe marrëdhëniet e mira.
“Do të konsolidojmë më tej bashkëpunimin nëpërmjet zgjerimit të kuadrit politik dhe juridik, hartimit të projekteve, kryesisht për Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna, mbështetjes për integrimin më të gjerë të shqiptarëve në administratën qendrore dhe lokale në Mal të Zi, si dhe mbështetjes së gjithanshme në fushën e arsimit dhe kulturës me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar”, ka thënë ai.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë ka vlerësuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicionin qeverisës, ndërkohë që ka kërkuar nga qeveria e Malit të Zi plotësimin e kërkesave të ligjshme të shqiptarëve.
“Duke përmendur përfshirjen e koalicionit ‘Shqiptarët të vendosur’ në nivelin e qeverisjes qendrore dhe progresin e arritur në plotësimin e disa pikave të marrëveshjes, inkurajoj qeverinë malazeze të vazhdojë në këtë frymë për të përmbushur të gjitha ato kërkesa legjitime që shqiptarët i kanë prej vitesh. Ato nuk janë gjë tjetër përveçse një kuadër mbi të cilat ndërtohen shtetet demokratike dhe respektohen të drejtat e njeriut, përfshirë ato të pronës”, ka thënë Filo.
Në ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Mal të Zi, Qeverisë dhe Kuvendit të Malit të Zi, mediave shqipe, si dhe personalitete tjera nga fusha të ndryshme nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. i. k.
Të marrin fund mosmarrëveshjet dhe etiketimet negative ndaj njëri-tjetrit
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ernal Filo, në fjalën e tij të rastit, i ka bërë thirrje dhe i ka dërguar mesazh lidershipit politik shqiptar në Mal të Zi, duke kërkuar që të ndërpresin menjëherë mosmarrëveshjet dhe etiketimet negative ndaj njëri-tjetrit.
“Nisur edhe nga zgjedhjet e zhvilluara dje në komunën e Tuzit, kam një thirrje të veçantë dhe një mesazh për lidershipin politik shqiptar, i pranishëm ose jo këtu në këtë mbrëmje. Banorët e Tuzit folën. Pa paragjykuar rezultatin, mendoj se duhet një analizë e thellë, serioze dhe marrje përgjegjësish. Koha e mosmarrëveshjeve dhe etiketimeve negative ndaj njëri-tjetrit duhet të marrë fund menjëherë. Mos zhgënjeni ato dhjetëra e qindra të rinj që u bashkuan me ju në këtë fushatë, me dëshirën dhe vullnetin për ndryshim. Bashkohuni dhe jepni kontributin tuaj maksimal dhe të sinqertë në qeverisjen lokale në mënyrë që njerëzve t’u kthehet besimi. Nuk duhet të ketë vend për dekurajim. Punoni fort për të mirën e të gjthëve duke kërkuar administrim efektiv dhe projekte konkrete në mënyrë që proceset integruese në shtetin ku jetoni, pra në Malin e Zi, ta arrijnë qëllimin final – një e ardhme më e mirë dhe e sigurt për të gjithë, pa dallime dhe veçanërisht për fëmijët tuaj”, ka thënë ai.