Konfirmohet perspektiva e Ballkanit Perëndimor në BE

Samiti në Trieste i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë ngjarje e rëndësishme dhe e suksesshme, i cili ka konfirmuar perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe që bëri një punë të përbashkët në projekte, ka kumtuar Bashkimi Evropian.
Delegacionet qeveritare të vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi si dhe të vendeve anëtare të BE janë takuar të mërkurën e kaluar në Samitin e Triestes, në tre seksione paralele: seksioni i krerëve të shteteve e përfaqësuesve të ekzekutivit të çdo vendi pjesëmarrës, seksioni i takimit të ministrave të jashtëm dhe seksioni ekonomik me pjesëmarrjen e ministrave të financave e të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Lindor.
“Në këtë samit të rëndësishëm, mikpritës i të cilit ishte Italia, në radhë të parë kemi konfirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE”, theksohet në kumtesën e Komisionit Evropian pas përfundimit të Samitit.
Nga Komisioni Evropian theksohet se liderët nga rajoni me bashkëbisedues nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë folur për “fushat kryesore të bashkëpunimit rajonal” dhe se “janë vënë masa konkrete me qëllim të lidhjes më të mirë të infrastrukturës, ekonomisë dhe njerëzve në rajon”.
Të gjithë, gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, thuhet në kumtesë, e duan qartë integrimin e madh në BE dhe kjo përkrahet edhe nga qytetarët në rajon.
“Nga ana e BE-së, ne jemi të vendosur të mbajmë dyert e hapura dhe të garantojmë se ekziston e ardhmja në Union për secilin nga ta. Sapo të përmbushen reformat e duhura, ne do t’i përmbushim premtimet nga ana jonë”, ka thënë në fund të samitit shefja e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini.
Ajo ka shtuar se “projektet praktike” janë suksesi tjetër i madh i këtij samiti.
”Shumë projekte janë financuar, kryesisht falë fondeve të BE-së, e është nënshkruar një marrëveshje shumë e fuqishme për Traktatin e Komunitetit të Transportit që hap lidhje të reja në rajon por edhe të rajonit me BE-në”, ka shtuar Mogherini.
KE përkujton se krahas Federica Mogherinit, në takime, forume dhe në nënshkrimin e Traktatit ë Komunitetit të Transportit, kanë marrë pjesë edhe komisari për Zgjerim, Johannes Hahn dhe ajo për Transporte, Vioeleta Bulz, si dhe përfaqësuesit e Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Sllovenisë dhe Britanisë së Madhe.
”Të gjithë pjesëmarrësit me kënaqësi presin takime të reja në nivelin më të lartë që do të mbahej në rajon”, thotë kumtesa.
Në kumtesë theksohet se në Samitin e Triestes liderët nga Ballkani Perëndimor janë marrë vesh rreth planit aksional për zhvillimin rajonal në fushën ekonomike e cila “do të krijojë treg nga 20 milionë njerëz, do të tërheqë investimet dhe do të hapë vende të reja pune”.
Këtë iniciativë Komisioni do ta përkrahë me pakon prej shtatë milionë eurosh për të ndihmuar klimën investuese, strategjitë e “specializimit të mençur” dhe Forumin investues të Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian ka paralajmëruar edhe financim shtesë të programit për financim të ndërmarrjeve dhe të inovacioneve të Ballkanit Perëndimor me 48 milionë euro, që kompanive të rajonit do t’iu sillte rreth 250 milionë euro.
Në Samitin e Triestes është mbajtur edhe Forumi i të rinjve BE – Ballkani Perëndimor, që tuboi më shumë se 100 liderë të rinj e përfaqësues të organizatave rinore, të cilët biseduan për ndërmarrësinë, lëvizshmërinë, përfshirjen dhe rolin e të rinjve.
Objektivi i këtij Samiti është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, i nisur që me Procesin e Berlinit në vitin 2014, me Samitin e Vjenës më 2015 e me takimin e Parisit më 2016.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat