Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, zhvilloi javën e kaluar një takim në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV.
Në prononcimin për gazetën “Koha javore” ministri Dukaj thekson se ajo që i la përshtypje më shumë nga takimi me Atin e Shenjtë ishte mënyra se si ai e lidh dimensionin shpirtëror me sfidat globale të ditës, duke thënë se roli i tij në promovimin e paqes, dialogut dhe stabilitetit moral në botë është i pazëvendësueshëm.
“Ajo që më preku ishte thjeshtësia e tij njerëzore, e kombinuar me peshën e madhe të misionit që mban, një kontrast që e bën çdo takim me të jashtëzakonisht frymëzues”, thekson Dukaj.
Ati i Shenjtë, shprehet Dukaj, foli me respekt për harmoninë ndërfetare në Mal të Zi, një vlerësim që sipas tij, konfirmoi qartë se modeli ynë i bashkëjetesës shihet dhe vlerësohet nga Selia e Shenjtë.
“Ishte një çast që më rikujtoj se marrëdhëniet tona me Vatikanin nuk janë vetëm formale, por mbështeten në parime të përbashkëta dhe në respekt të sinqertë për njëri-tjetrin”, shprehet ministri Dukaj.
Ai më tej thotë se ky takim konfirmoi angazhimin për t’i avancuar projektet që ata i kanë identifikuar prej kohësh.
“Qeveria e Malit të Zi ka ndërmarrë hapa të qëndrueshëm dhe të koordinuar për finalizimin e rezidencës apostolike, një proces të cilin e kam theksuar edhe publikisht ditët e fundit. Kjo rezidencë do të jetë një hap i rëndësishëm në forcimin institucional të marrëdhënieve tona dhe do të lehtësojë bashkëpunime më të strukturuara në fushat e kulturës, trashëgimisë, edukimit dhe nismave humanitare”, thotë Dukaj.
Ndërkohë, ai shprehu mirënjohje për Selinë e Shenjtë, për pritjen dhe për qasjen e hapur dhe konstruktive ndaj bashkëpunimit me Malin e Zi, duke e vlerësuar shumë rolin global të Atit të Shenjtë.
Ai thotë se Mali i Zi është i përkushtuar të kontribuojë në vlerat që ai promovon: dialogun, paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve.
“Për qytetarët e Malit të Zi, ky takim ishte më shumë se një vizitë protokollare. Ishte një sinjal i fortë për imazhin që vendi ynë po ndërton në arenën ndërkombëtare: një vend i hapur, i dialogut dhe i vlerave evropiane. Hapat që po ndërmarrim, përfshirë finalizimin e rezidencës apostolike, janë në funksion të forcimit të institucioneve dhe të përfitimeve reale për shoqërinë tonë, nga kultura deri te promovimi i harmonisë dhe respektit ndërfetar”, përfundon Dukaj.
Ky ishte takimi i dytë i ministrit Dukaj në Selinë e Shenjtë, pas atij me Papa Françeskun.
t. u.
