Komuna e Gucisë ndër partnerët kyçë të projektit

Guci/Plavë – Në iniciativën e Organizatës turistike të Gucisë dhe në konsultim me përfaqësuesit e Organizatës turistike të Pejës, Komuna e Gucisë përfundimisht është renditur si njëri ndër partnerët kyçë në projektin e shtegut ndërkombëtar “Majet e Ballkanit”.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, të enjten e kaluar, ka nënshkruar Memorandumin mbi marrëveshjen lidhur me projektin e “Menaxhimit të qëndrueshëm të shtegut malor tejkufitar Majet e Ballkanit dhe me aktivitetet e tij promovues” . Në këtë mënyrë Gucia edhe formalisht është bërë partner i barabartë me komunat e Plavës, Pejës dhe Shkodrës, në projektin në fjalë.
Me këtë rast është arritur marrëveshje edhe për realizimin e projektit të ri që i përket atij të mëparshëm “Majet e Ballkanit”, e që ka të bëjë me “Avancimin e kualitetit të dukshmërisë së trevës Majet e Ballkanit me ngritje të standardit të orientuar kah tregu turistik”.
Edhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, të mërkurën, ka nënshkruar Memorandumin me të cilin vazhdohet pjesëmarrja e Komunës së Plavës në projektin “Majet e Ballkanit”, në të cilin përveç Plavës marrin pjesë edhe lideri i projektit Komuna e Pejës, ajo e Gucisë dhe e Shkodrës.
Me projektin “Majet e Ballkanit” janë shënuar (caktuar) 192 km të shtigjeve malore në të tri shtetet, kurse rrugëkalimet e futura hartë lidhin fshatrat e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Projekti në vitin 2013 ishte shpërblyer me vendin e parë në Samitin e Këshillit Botëror për turizëm dhe udhëtim në Abu Dabi.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat