Tuz – Ambasadorja e Republikës së Bullgarisë në Mal të Zi, znj. Meglene Plugtschieve dhe shefi i seksionit politik dhe konsullor, z. Vasil Durev u pritën në takim nga kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj dhe nga shefja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, znj. Amra Pepiq.
Siç njoftuan nga Komuna e Tuzit, qëllimi kryesor i këtij takimi ishte bashkëpunimi ndërmjet institucioneve. Gjeloshaj ka potencuar rëndësinë e projektit me të cilin Komuna e Tuzit ka aplikuar në programin, “Bulgarian ODA 2022”, i cili ka të bëjë me ndërtimin e shkollës së re në fshatin Priftën.
Sipas Gjeloshajt, ky projekt është shumë i rëndësishëm për nxënësit dhe për krejt banorët e asaj treve.
“Prandaj edhe pse si vetëqeverisje lokale nuk kemi kompetenca, por ministria përkatëse, ne po mundohemi me kapacitetet tona që ky projekt të realizohet”, është shprehur Gjeloshaj.
Nga ana tjetër, ambasadorja Plugtschieve theksoi se ky takim është hapi i parë në arritjen e marrëdhënieve të mira dypalëshe midis ambasadës së Republikës së Bullgarisë dhe Komunës së Tuzit, dhe se komuna duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për zbatimin e fondeve të BE -së, veçanërisht ato që lidhen me projektet kapitale dhe infrastrukturore.
t. u.
