Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, është shprehur optimist me rezultatet e prezantimit të Ulqinit në Panairin e Kanës, i cili është panairi më i madh i inevestimeve dhe patundshmërive në botë.
Në konferencën për shtyp, të mbajtur të premten, Cungu ka prezantuar aktivitetet e zhvilluara nga Komuna e Ulqinit në edicionin e 27-të të këtij panairi.
Ai ka thënë se pas aprovimit të Planit Hapësinor Urbanistik të Komunës së Ulqinit duhet të bëhet promovimi i tij dhe panairet janë vendet më të mira për këtë.
Cungu ka theksuar se kanë zhvilluar takime me hotelierë, financierë të ndryshëm, agjenci projektuese etj.
Ndër kompanitë e interesuara për Ulqinin, ai ka përmendur kompaninë e njohur franceze “Accor”, grupin e hoteleve “Falkensteiner” nga Austria, kompaninë kineze “Wanda” dhe disa kompani të tjera.
“Kemi folur me investitorë seriozë, të cilët i kemi njoftuar me aktivitetet në infrastrukturë të cilat jemi duke i përgatitur”, është shprehur Cungu, duke paralajmëruar se në të ardhmen e afërt përfaqësues të këtyre kompanive do të vizitojnë Ulqinin.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka nënvizuar se ndër problemet kryesore që janë potencuar në kontaktet me kompanitë e ndryshme në Panairin e Kanës është ai i komunikacionit dhe infrastrukturës në përgjithësi, sidomos largësia e Ulqinit nga aeroportet, që përbën një barrierë të madhe për zhvillimin e turizmit.
Cungu ka thënë se është i vetëdijshëm se investimet e shpejta janë të pamundura, por sipas tij, duhet të mendojmë për zhvillim strategjik dhe afatgjatë.
Panairi në Kanë është panairi më i madh ndërkombëtar në fushën e investimeve dhe patundshmërive, i njohur për reputacionin e tij dhe pjesëmarrjen e një numri të madh të vendeve. Në të marrin pjesë investitorë, institucione financiare, grupe hotelierike, agjenci për pasuri të paluejtshme, kompanitë konsultimi, qeverisjet vendore etj.
Komuna e Ulqinit është përfaqësuar në këtë panair në stendën e Malit të Zi, delegacionin e të cilit e ka udhëhequr ministri i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Pavle Radulloviq. i. k.