Plavë – Zgjedhjet lokale që më 23 tetor 2022 u mbajtën në Podgoricë dhe 13 komuna të tjera në Mal të Zi, në Komunën e Plavës ndër gjashtë listat zgjedhore (tri subjekte politike të pavarura dhe tri koalicione) sa garuan në 22 vendvotime për 31 kandidatë për këshilltarë, sa do të numërojë Kuvendi i komunës edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, Koalicioni “Së bashku ngadhënjyeshëm për Plavën” – SB, PDS, PSD, fitoi shumicën absolute të mandateve. Me 2.281 vota të fituara siguroi 16 mandate. Këtë e dëshmoi Komisioni Komunal i Zgjedhjeve me rastin e shpalljes së rezultateve preliminare të nxjerra nga raporti i hartuar më 24 tetor 2022, ndaj të cilin nuk ka pasur vërejtje.
Pesë listat zgjedhore të tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të komunës, shënuan këto rezultate: Partia Boshnjake “Korrektësisht për Plavën” – 1.046 vote ose 7 mandate, Lëvizja “Evropa tani – për Plavën”- 140 vota pa mandate të fituara (nuk e kaloi cenzusin), Koalicioni Lëvizja qytetare URA – Alternativa Shqiptare “Mundet Plava, mundet Mali i Zi”- 549 vota ose 3 mandate, PSP (Partia Socialiste Popullore “Themelësisht për Plavën” 219 vota ose 1 mandat dhe Koalicioni Partia Popullore Demokratike – Demokracia e Re Serbe – Mali i Zi i Drejtë “Për ardhmërinë tonë” – 648 vota ose 4 mandate.
Ndonëse listën zgjedhore të kandidatëve për këshilltarë të Kuvendit e ka dorëzuar edhe dega e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Mal të Zi, ajo nuk është pranuar nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve për shkak te parregullsive, e cila po ashtu nuk është pranuar (është refuzuar) edhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Subjekti politik në fjalë, para ditës së zgjedhjeve lokale ia ka dërguar ankesën për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi. Meqenëse ajo në mungesë të numrit të gjyqtarëve për marrje vendimesh është në bllokadë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duke vendosur sipas kërkesës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Plavë, me shumicë votash është deklaruar se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në këtë komunë nuk mund të shpallen.
Në fund theksojmë se prej gjithsej 9.364 votuesve që janë gjendur në regjistrat e 22 vendvotimeve, të drejtën e vet ligjore e kanë shfrytëzuar 4.883 votues ose 52,14% fletëvotimet e të cilëve kanë qenë të vlefshme.
Shaban Hasangjekaj
