Plavë/Guci – Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi, të dymbëdhjetat me radhë nga fuqizimi i sistemit shumëpartiak (pluralist) dhe të gjashtat nga pavarësia e Malit të Zi më 21 maj 2006, që u mbajtën të dielën më 11 qershor 2023, në të cilat për 81 deputetë sa numëron gjithsej parlamenti, garuan 15 lista zgjedhore të koalicioneve, partive politike, lëvizjeve dhe grupeve qytetare, në Komunën e Plavës u mbajtën në 22 vendvotime – katër në Plavë, një në Murinë dhe 17 në vendbanimet rurale në periferi të tyre.
Në këto zgjedhje të cilat u zhvilluan në atmosferë të qetë, të drejtën e votës e shfrytëzuan 4.735 votues të moshës madhore ose 50.45 % prej gjithsej 9.386 qytetarëve me të drejtë vote sa ishin në listat zgjedhore në vendvotime.
Pas numërimit të votave, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në krye me kryetarin Emro Feratoviq, konfirmoi se prej gjithsej 4.735 votave të qytetarëve që shfrytëzuan të drejtën e votimit, 4.703 ishin vota të vlefshme, ndërsa 32 të pavlefshme, në të cilat 15 listat zgjedhore në gara për 81 deputetë shënuan këto rezultate: Numrin më të madh të votave – 1.343 në këtë komunë e ka fituar Partia Boshnjake “E qartë është” – Ervin Ibrahimoviq. Rezultatet për listat tjera zgjedhore garuese prezantohen për ato që kanë fituar mbi 50 vota. Koalicioni “Së bashku” (PDS, SD, PL, UDSH) është mbështetur me 1.265 vota, koalicioni “Aleanca Shqiptare” (Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, LD në MZ dhe “Lista për Tuzin”) – 10 vota, Lëvizja Evropa Tani, Millojko Spajiq – 415 vota. Partia Social Demokratike “Për shtëpinë tonë” – 391 vota, Koalicioni “Guximshëm numërohet” (Demokratët e Malit të Zi – Lëvizja URA) – 393 vota, Koalicioni “Për ardhmërinë e Malit të Zi” (NSD, DND, Partia Popullore) – 478 vota dhe koalicioni Forumi Shqiptar “Besa për zhvillim evropian” – 165 vota.
Në Komunën e Gucisë zgjedhjet parlamentare u mbajtën në 10 vendvotime – tri në Guci dhe shtatë në vendbanimet në periferi, të cilat po ashtu u zhvilluan në atmosferë të qetë. Në këtë komunë të drejtën e votimit e shfrytëzuan 1.718 votues të moshës madhore ose 37.66 % prej gjithsej 4.561 sish me të drejtë vote që ishin në regjistrat e listave zgjedhore në vendvotime.
Edhe në këtë komunë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në krye me kryetarin Sanid Rexhepagiq, pas numërimit të votave konstatoi se prej 1.718 votave të qytetarëve që dolën në votime, 1.704 ishin vota të vlefshme, kurse 14 të pavlefshme.
Në Komunën e Gucisë shumicën e votave të votuesve që dolën në votime i fitoi koalicioni “Së bashku” (PDS, SD, PL, UDSH) – 509 vota, ndërsa rezultatet për listat zgjedhore garuese për deputetë të parlamentit janë paraqitur ato që kanë mbi 10 vota: Partia Boshnjake “E qartë është” – Ervin Ibrahimoviq – 481 vota, koalicioni “Për ty” (PSP – Demos) – 25 vota, koalicioni “Aleanca Shqiptare” (Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, LD në Mal të Zi, “Lista për Tuzin”) – 116 vota, Lëvizja Evropa Tani – Millojko Spajiq – 57 vota, koalicioni “Guximshëm numërohet” (Demokratët e Malit të Zi – Lëvizja URA) – 107 vota dhe koalicioni Forumi Shqiptar “Besa për zhvillim evropian” – 322 vota.
Shaban Hasangjekaj