Koalicioni PB-SD-PSD “Me zemër për Gucinë” ngadhënjyes bindës i zgjedhjeve

Guci – Në zgjedhjet e rregullta lokale në Komunën e Gucisë të mbajtura të dielën më 15 shtator 2024, në të cilat për 30 mandate këshilltarësh sa do të numërojë Kuvendi i Komunës së Gucisë në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, garuan pesë lista zgjedhore – dy koalicione, dy subjekte të pavarura politike dhe një grup qytetarësh, sipas të dhënave preliminare u arritën këto rezultate:
Koalicioni PB-SD-PSD “Me zemër për Gucinë” është ngadhënjyes bindës i zgjedhjeve me vota të 916 zgjedhësve të cilat ia siguruan 14 mandate këshilltarësh në Kuvendin e Komunës.
Koalicioni Forumi shqiptar (LDSH-ASH) – UDSH “Bashkë për Gucinë”, 494 vota – 7 mandate këshilltarësh.
Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) “Gucia mundet më mirë” – Demir Bajroviq”, 435 vota – 6 mandate këshilltarësh.
Grupi i qytetarëve “Lëvizja për Gucinë”, 157 vota – 2 mandate këshilltarësh.
Demokratët e Malit të Zi, 109 vota – 1 mandat këshilltari.
Të drejtën e votës në zgjedhjet lokale në fjalë, të cilat mbajtën në 10 vendvotime – tri në Guci dhe shtatë në vendbanimet rurale periferike: 1. Martinaj-Gropë, 2. Dosugjë, 3. Kolinë, 4. Dola, 5. Grnçar, 6. Krushevë-Vishnjevë dhe 7. Vuthaj, e shfrytëzuan 2.128 persona të moshës madhore ose 46,08% nga gjithsej 4.618 sish të regjistruar në listën zgjedhore.
Në të gjitha vendvotimet të cilat u hapën në ora 7:00 dhe u mbyllën në ora 20:00 rrjedha e votimit u zhvillua normalisht në atmosferë të qetë e pa probleme të shprehura.
Ndonëse asnjë listë zgjedhore nuk fitoi shumicën e votave për formimin e pushtetit të ri lokal, së shpejti do të fillojnë negociatat për koalicionet e mundshme paszgjedhore për qeverinë lokale në Guci.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat