Kërkohet koordinim institucional

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu me bashkëpunëtorë, në kuadër të manifestimeve për Pavarësinë e Kosovës, është takuar me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit theksohet se gjatë takimit, kanë biseduar për ecurinë e procesit zgjedhor, zhvillimet aktuale politike, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional në të ardhmen, në funksion të forcimit të proceseve demokratike dhe përparimit të rajonit.
“Gëzimi i gjithë Komunës së Ulqinit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës është i madh. Votimi u zhvillua në një moment kritik dhe delikat për Kosovën, ndërsa themelimi i Qeverisë së re përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në forcimin e përgjegjësisë publike ndaj qytetarëve”, thuhet më tej në deklaratë.
Kryetari Nimanbegu i shprehu kryeministrit Kurti urimet më të përzemërta për mandatin e ri, me bindjen se ai do të karakterizohet nga zhvillimi ekonomik, forcimi i sundimit të ligjit, rritja e sigurisë së Kosovës dhe e gjithë rajonit, si dhe avancimi i interesit kombëtar.
“Kosova ka nevojë për vendime të guximshme, bashkëpunim të gjerë politik dhe përkushtim të palëkundur ndaj integrimeve euroatlantike. Suksese në përgjegjësinë e re, në shërbim të qytetarëve dhe së ardhmes së Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata për shtyp.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat