Ulqin – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural të Malit të Zi, Millutin Simoviq, ka thënë se vala e investimeve që ka filluar në Ulqin kërkon angazhim më të madh të qeverisjes vendore, krahas vazhdimit të mbështetjes së Qeverisë, në mënyrë që të vazhdojë zhvillimi i përshpejtuar i Komunës, hapja e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve të Ulqinit.
Ai i ka bërë këto deklarata gjatë vizitës së punës që ka zhvilluar të martën e kaluar në Ulqin.
Në takim me udhëheqjen e Komunës së Ulqinit, në krye me kryetarin Loro Nrekiq, është shprehur kënaqësi për realizimin e një varg projektesh infrastrukturore në territorin e Komunës së Ulqinit, të cilat paraqesin bazë për interesimin e mëtejshëm të investitorëve.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se do të ishte mirë që ndërtimi i segmentit rrugor Ulqin-Krythë të ecte me dinamikë më të shpejtë, por edhe besimin se ai do të përfundojë me sukses sezonin e ardhshëm.
Simoviq ka thënë se është i kënaqur edhe me investimet e CEDIS-it në territorin e Komunës së Ulqinit, por edhe ka shprehur shqetësim për shkak të situatës në terren.
Gjatë vizitës së tij në Ulqin, zëvendëskryeministri i Malit të Zi ka mbikëqyrur punimet që është duke i kryer ndërmarrja “Cijevna Komerc” në degën e djathtë të lumit Buna me qëllim të thellimit të shtratit të këtij lumi dhe qarkullimit të ujit.
Sipas tij, ato janë duke vijuar me dinamikën e planifikuar dhe se me këto punime do të zgjidhet një problem shumëvjeçar, i cili hap rrugën për zgjidhjen e problemeve tjera.
Me këtë rast, ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural mr. Millutin Simoviq ka firmosur kontratat me tre qiramarrës për dhënien me qira të 200 hektarëve tokë bujqësore në pronësi shtetërore në komunat e Ulqinit, Podgoricës dhe Kotorrit.
Qiramarrës të tokës bujqësore janë firma “Kantina e Verës Milloviq” në Malin e Brisë (Ulqin), firma “Agrolife Montenegro” në Gollubovc dhe “Çelebiq Agrar” në Vranoviq të Kotorrit, të cilët kanë prezantuar projektet e tyre që parashikojnë investime në vlerë prej 10 milionë euro dhe punësimin e 41 punëtorëve, krahas punësimit të punëtorëve të tjerë sezonalë.
Simoviq ka theksuar se qeveria përmes projekteve të reja të valorizimit të tokës shtetërore dërgon mesazhin e zotit të mirë të shtëpisë dhe me shembullin e vet tregon se toka duhet të punohet. (Kohapress)
