Ulqin – Shoqata e Qiramarrësve të Plazheve, Shoqata “Ada Bojana” dhe Shoqata e Restoranteve kanë organizuar të premten (14 shkurt 2025) në Ulqin një protestë paqësore kundër rritjes së çmimeve të qiramarrjes së plazheve dhe objekteve komerciale në pjesën e bregdetit që menaxhohet nga Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare”.
Protesta është organizuar përpara zyrave të kësaj ndërmarrjeje në Ulqin, ndërsa organizatorët e protestës kanë kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për shpalljen e tenderit për dhënien me qira të plazheve dhe objekteve në zonën bregdetare, pa u konsultuar me pushtetin vendor dhe afaristët.
Sipas tyre, vendimi për rritjen drastike të çmimeve të qirasë deri në 300 për qind rrezikon biznesin e qiramarrësve, rrit çmimet e shërbimeve turistike dhe kërcënon të shkatërrojë sektorin e turizmit në Ulqin.
Në deklaratën e tyre, tri shoqatat theksojnë se “ky vendim kërcënon drejtpërdrejt ekzistencën e mijëra familjeve që jetojnë nga turizmi, duke bërë që Mali i Zi të jetë jokonkurrues në krahasim me vendet e tjera të rajonit”.
Protesta është mbështetur edhe nga Komuna e Ulqinit, partitë politike shqiptare, shoqatat e ndryshme dhe qytetarët e Ulqinit, të cilët vendimin e Qeverisë së Malit të Zi e konsiderojnë të dëmshëm dhe kundër interesave të Ulqinit dhe komunave të tjera bregdetare.
Në fjalën e tij përpara qytetarëve të tubuar në protestë, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se vendimi jotransparent i Qeverisë së Malit të Zi, pasi që kryeministri javën e kaluar është shprehur që nuk do ta bëjë këtë pa konsultime me kryetarët e komunave bregdetare, është në dëmin tonë.
“Në letrën e hapur drejtuar atij, e kam vlerësuar se kjo pas tërmetit të vitit 1979 është më e rëndë se rrënimi i hoteleve dhe afarizmit në Ulqin gjatë privatizimit, dhe kjo mund të na cënojë të ardhmen tonë ekonomike. Cënimi i të ardhmes sonë ekonomike do të thotë largimi ynë nga këto treva”, ka deklaruar ai.
Krahas pushtetarëve të Komunës së Ulqinit, në protestë kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, deputeti i Forumit Shqiptar, Artan Çobi etj.
Në mbledhjen e saj të mbajtur më 11 shkurt 2025, Qeveria e Malit të Zi me propozim të Ministrisë për Planifikim Hapësinor, Urbanizëm dhe Pronë Shtetërore ka miratuar ndër të tjera ndryshimet dhe plotësimet e çmimeve për shfrytëzimin, gjegjësisht marrjen me qira të plazheve, ku është parashikuar rritja e çmimeve, e cila në disa raste është trefish më e madhe se ato ekzistues; Propozimin e vendimit për dhënien me qira të pjesëve të të mirave detare dhe Ndryshimet dhe plotësimet e Programit të objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare, për periudhën 2024-2028.
Derisa komunat bregdetare e konsiderojnë vendimin e Qeverisë së Malit të Zi jotransparent dhe të dëmshëm për qytetarët e tyre, nga Ministria për Planifikim Hapësinor, Urbanizëm dhe Pronë Shtetërore kanë deklaruar se “këto vendime paraqesin një hap të rëndësishëm në menaxhimin më efikas dhe më të qëndrueshëm të të mirave detare, si dhe sigurojnë parakushtet për përgatitjen efikase të sezonit turistik veror 2025”.
Përkundër protestave të qiramarrësve dhe kundërshtimit të komunave bregdetare, NP “Të Mirat Detare” ka nisur në fillim të javës hapjen e tenderëve për dhënien me qira të plazheve dhe objekteve të tjera në zonën e të mirave detare, bazuar në vendimin me çmime të reja, disa herë më të larta.
(Kohapress)