Kënaqësi me zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore

Podgoricë – Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, priti të premten ministrin e Financave të Republikës së Kosovës, Abdullah Hoti.
Sipas deklaratës për shtyp të zyrës së nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, në takim u shpreh kënaqësi e dyanshme me zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, qeverive dhe parlamenteve, që janë shumë të mira dhe u shqyrtuan mundësitë e përmirësimit të mëtutjeshëm.
Nënkryetari Nimanbegu e njoftoi ministrin Hoti me gjendjen në skenën politike në Mal të Zi, me përparimin në procesin e integrimeve evropiane, e posaçërisht në lidhje me integrimet në NATO. Përkushtimi ndaj sundimit të së drejtës dhe gatishmëria që të marrin përgjegjësinë për këto integrime, para së gjithash për të mirën e të gjithë qytetarëve, është qëllim i çdo politike të përgjegjshme.
Gjithashtu, ministri Hoti u njoftua me kërkesat shumëvjeçare të shqiptarëve në Mal të Zi rreth definimit përfundimtar të statusit të komunës së Tuzit, lidhur me kthimin e pronave (në Valdanos) dhe me gjendjen në Kriporen e Ulqinit, me përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucionet e sistemit dhe me hapat për arritjen e këtij qëllimi.
Veçanërisht u theksua rëndësia e aksit të ri rrugor Podgoricë – Plavë-Guci – Deçan, të cilin të dy palët e vlerësojnë si tejet të rëndësishëm.
Nga ana tjetër, ministri Hoti e njoftoi nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi me zhvillimin e situatës rreth demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, si dhe me situatën aktuale në shtet.
Në takim mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, u takua edhe me ministrin e Financave të Malit të Zi, Darko Radunoviq, dhe ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka, ku diskutuan për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat