Tiranë – Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von Der Leyen, gjatë vizitës së saj zyrtare të martën në Tiranë, ka thënë se KE-ja mbështet çfarëdo iniciative që është brenda Procesit të Berlinit duke vënë theksin tek iniciativa “Ballkani i Hapur”, e njohur më parë si mini-Shengeni Ballkanik.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ajo tha se “Ballkani i Hapur” duhet të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës dhe që thellon bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit.
“Po të shohim ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, si edhe tregun e përbashkët rajonal, mendoj se procesi i Berlinit po e shtynë procesin e integrimit para, si kuadër në të cilin gjashtë vendet e rajonit do të përfitojnë. Çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh”, ka thënë Von Der Leyen.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka thënë se shtetet që ende nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj iniciative, do t’i bashkohen herët a vonë.
“Ballkani i Hapur është vendosur të bëhet dhe çdo vit e më shumë do të provohet që është gjëja e duhur. Ballkani i Hapur do të jetë patjetër hapësira ku do të vijnë (Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina), njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë. Dhe kush vjen më vonë thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo iniciativë është një interes strategjik.
Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik u prezantua në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor 2019, nga krerët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.
Ndërkohë tre shtetet tjera që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor – Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina kanë shprehur rezerva ndaj kësaj iniciative.
Ditëve të fundit, presidentët e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës përmes një deklarate të përbashkët kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në rajon, pas takimit që kanë zhvilluar të enjten në Nju-Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
(Kohapress/REL)
