Guci – Kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, dhe kryetari i Komunës Bajrampasha të Republikës së Turqisë, Ibrahim Akin, të mërkurën, më 4 mars 2026, kanë nënshkruar Memorandumin mbi binjakëzimin e komunave të Gucisë dhe Bajrampasha, me ç’rast është zyrtarizuar bashkëpunimi i ndërsjellë i këtyre dy pushteteve vendore – të Malit të Zi dhe Republikës së Turqisë.
Me këtë marrëveshje hapet dera e fuqizimit të partneritetit në lëmin e kulturës, arsimit, sportit, turizmit dhe afarizmit, si dhe shkëmbimit të përvojave në punën e vetëqeverisjeve lokale.
Fokus i veçantë do të jetë në realizimin e projekteve të përbashkëta që mund t’i kontribuojnë zhvillimit ekonomik, avancimit të infrastrukturës dhe krijimit të potencialeve të reja në veprimtaritë e ndryshme të punës.
Kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, ka theksuar se kjo është ditë e rëndësishme historike për Gucinë.
“Me nënshkrimin e memorandumit mbi aktin e binjakëzimit me Komunën Bajrampasha hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe miqësie. Presim projekte konkrete, shkëmbim përvojash dhe lidhje më të fuqishme ekonomike që do të shfrytëzohen. Ky është hap përpara kah zhvillimi i mëtejmë i komunës sonë dhe fuqizimit të lidhjeve ndërkombëtare”, ka thënë ai në përmbyllje të deklaratës.
Sh. Hasangjekaj
