Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak (Miroslav Lajčak), ka takuar të martën në Bruksel zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në Malin e Zi.
Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se orientimi i qartë i Malit të Zi drejt BE-së është jetik.
“Mirënjohës për diskutimin shumë të qartë dhe të hapur me zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq, rreth zhvillimeve të fundit në Malin e Zi. Theksova që është jetike mbajtja e një orientimi të qartë strategjik drejt BE-së”, ka shkruar Lajçak.
Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për situatën në Mal të Zi, pas trazirave që shpërthyen me rastin e shugurimit të mitropolititi të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
Në reagimin e BE-së kërkohet përmbajte dhe hetime për dhunën.
“Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Liria e tubimit është e drejtë themelore e BE-së. Në të njëjtën kohë, ajo e drejtë duhet të përdoret pa paragjykuar shëndetin publik dhe në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, rendin publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagimin e BE-së lidhur me ngjarjet e fundit në Cetinë.
“Çfarëdo përdorimi i forcës duhet të jetë i matur dhe proporcional në secilin moment. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe presim nga organet kompetente që të hetojnë dhe sigurojnë proces të duhur gjyqësor për rastet e dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj zyrtarëve të rendit”, kanë thënë nga BE-ja.
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Abazoviq është takuar edhe me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel (Charles Michel) dhe nënkryetaren e Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës, Sofi Vilmes (Sophie Wilmes). Ai po ashtu ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe, si edhe është takuar me përfaqësuesit e diasporës së Malit të Zi në Bruksel.
(Kohapress)
