Investim i rëndësishëm për vendin

Tuz – Sheshi i ri i Tuzit u hap zyrtarisht të premtën (9 qershor 2023) në prani të qytetarëve të shumtë, të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, të personaliteteve nga fusha të ndryshme jetësore dhe të modeles me famë botërore me origjinë nga Malësia, Emina Çunmulaj.
Nga Komuna e Tuzit theksuan se ky shesh edhe para përurimit të tij ka qenë i frekuentuar, përkatësisht menjëherë pas finalizimit të punimeve të kësaj hapësire e cila ndodhet në brendësi të oborrit të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz.
“Kjo tregon edhe për vlerën e tij dhe nevojën për të pasur një vend ku të gjithë të mund të kalojnë kohën e lirë, qoftë për ecje me fëmijët, takim me shokët apo edhe për të lexuar ndonjë libër”, u tha nga Komuna e Tuzit.
Ata më tutje thanë se ky park do të shfrytëzohet edhe për aktivitete të shumta përgjatë gjithë vitit.
Ndërkohë, modelja e mirënjohur Emina Çunmulaj përgëzoi investimet që Komuna e Tuzit po i bën në Malësi.
“Sa bukur është t’i sjellësh fëmijët nga Amerika në një park kështu të bukur botëror. Sa bukur është të vozisësh nëpër rrugë të reja”, tha ndër të tjera Çunmulaj.
Ajo beson se ky është vetëm fillimi i investimeve në Malësi.
Ndërkaq, duke bërë hapjen zyrtare të Sheshit të ri, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj theksoi se investimi në fjalë është bërë në bazë të Planit Urbanistik për Tuzin.
“Plan Urbanistik i aprovuar para afro dhjetë vitesh, por që ka mbetur vetëm në letër. Falë angazhimit të përbërjes së re të Komunës së Tuzit të gjitha ato planet dhe projekte për fat të mirë po bëhen realitet. Qytetarët e Malësisë po e shikojnë investimin, zhvillimin dhe atë se çfarë do të thotë të kemi komunën tonë dhe të jemi zot në shtëpinë e vet”, u shpreh Gjeloshaj.
Ai tregoi se vlera e këtij sheshi kap shifrën e afro 850 mijë eurosh, ndërsa është investim i Bashkisë së Tiranës me drejtues Erion Veliajn.
“Në këtë mënyrë Tuzi që ka marrë një avancim, një rritje të prezantimit mbarëshqiptarë, e lidh veten me shtetin amë edhe me investime të drejtëpërdrejta në vendin tonë”, u shpreh Gjeloshaj, duke uruar që këtë shesh ta gëzojnë qytetarët e Malësisë dhe të gjithë ata që do ta shfrytëzojnë dhe shijojnë.
Kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj u zotua se ata nuk do të ndalen dhe për ta çdo ditë është punë dhe ditë e re për investime dhe ide të reja.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat