Institucionalizim i marrëdhënieve me diasporën tonë në Nju Jork

Komuna e Ulqinit dhe Stejtën Ajllënd (Staten Island), njëri ndër pesë rajonet administrative të qytetit të Nju Jorkut (SHBA), kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit.
Marrëveshja është nënshkruar në Stejtën Ajllënd nga kryetari i tij Vito Fossella dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ndërsa të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të binjakëzimit ishin edhe ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, dhe përfaqësues të shoqatave që tubojnë diasporën shqiptare nga Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja në Nju Jork.
Marrëveshja parashikon bashkëpunim në shumë fusha me rëndësi si në atë të kulturës, arsimit, ekonomisë, bashkëpunim institucional etj.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari e ka cilësuar këtë si një akt shumë të rëndësishëm, i cili institucionalizon marrëdhëniet e shkëlqyera me diasporën tonë në Nju Jork.
“Jam shumë krenar që shoqatat ‘Ulqini’, ‘Ana e Malit’, ‘Kraja’ dhe të tjera janë shumë aktive me një bashkëpunim të shkëlqyer, i cili edhe rezultoi me këtë marrëveshje. Po ashtu bashkëpunimi me komunën e Ulqinit është në nivelin më të lartë ndonjëherë”, ka deklaruar ai.
Bajraktari ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje si dhe kryetarin e Stejtën Ajllëndit, Vito Fosella.
“Punën e palodhshme për Ulqinin dhe diasporën së bashku po e ngremë në nivele edhe më të larta”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Stejtën Ajllëndit, Vito Fosella ka thënë se ngjashmëritë ndërmjet këtij qarku dhe Komunës së Ulqinit janë shumë të mëdha, sepse janë komuna multikulturore, banorët e të cilave jetojnë në harmoni dhe kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Stejtën Ajllënd është njëri ndër qarqet e Nju Jorkut ku është i përqendruar numri më i madh i diasporës shqiptare nga Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat