I sugjeroj Çapunit që më me kujdes t’i analizojë dhe t’ikuptojë deklaratat e Ministrisë së Administratës Publike

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj përmes një deklarate në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram ka reaguar ndaj kumtesës së deputetit, Ilir Çapuni lidhur me statusin e Ulqinit. Ai i ka quajtur cinike përpjekjet për t’i lidhur problemet e shumta të Ulqinit, për të cilat, siç ka thënë ministri, llir Çapuni dhe grupi i tij politik janë përgjegjës me faktin se ministri i Administratës Publike është me kombësi shqiptare dhe imponimi i gjoja mungesës së vetëdijes kombëtare apo çfarëdo.
“Sepse dihet shumë mirë se decentralizimi i pushteteve vendore është një nga pikat dhe programet kryesore të Forumit Shqiptar”, ka thënë ministri Dukaj.
Dukaj shton se Ulqini është sigurisht një nga komunat që ka perspektivën e një qyteti, por këto mundësi, tha ai, nuk janë krijuar falë Çapunit dhe politikës që përfaqëson ai dhe aleatët e tij politikë, “por falë vizionit të Forumit Shqiptar dhe qëndrimit të përgjegjshëm të ministrisë që unë e përfaqësoj. Ky nuk është i vetmi dallim mes ne të dyve, por është shumë i rëndësishëm. Për gjoja padrejtësinë e bërë ndaj Ulqinit dhe ulqinakëve, po ngrit zërin një anëtar i partisë që për gati dy dekada është bashkautor i drejtpërdrejtë e rrënimit të qytetit dhe kolapsit të tij financiar. Për shkak të veprimeve të atilla, një qytet që ekziston për më shumë se 2500 vjet nuk mund te përfshihet në listën e UNESCO-S të trashëgimisë kulturore botërore” është shprehur Dukaj.
Ai më tutje ka theksuar se Ulqini, si shumë vetëqeverisje lokale të tjera në Mal të Zi, do të gëzojë mundësinë që të ngrihet nga statusi i komunës në statusin e qytetit dhe në këtë mënyrë, të fitojë më shumë kompetenca në fushën e arsimit parashkollor, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, planifikimit hapësinor, etj..
“Ulqini dhe qytetarët e tij jo vetëm qe e meritojnë, por me ligjin e ri do të fitojnë mundësi reale për shfrytëzimin e pasurive të jashtëzakonshme natyrore, për tërheqjen e investitorëve, për projekte bashkëpunimi me vetëqeverisjet e tjera lokale në Mal të Zi dhe më gjerë, do të thotë për zhvillim, sukses dhe jetë më të mirë”, ka thënë ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
Ministri Dukaj në fund të reagimit ndaj kumtesës së deputetit Çapuni shton se “çdo gjë që ia keni bërë të pamundur këtij qyteti të bukur për pothuajse të gjitha këto 20 vjet, unë personalisht dhe Forumi Shqiptar do të bëjmë çmos për t’ia kthyer Ulqinit lavdinë e merituar, dhe këtë ju e dini mirë dhe prandaj keni reaguar, sepse padyshim që nuk dini asnjë gjë tjetër. Ulqinit, shqiptarëve dhe të gjithë banorëve të tij, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare, u uroj zhvillim dhe përparim dinamik – që u takon dhe që e meritojnë”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat