Kosova dhe Serbia janë pajtuar të shtunën që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.
Deri te marrëveshja për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë, të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.
Borrell ka thënë se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.
“Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë. Serbët e Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët, do të mund të lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë çështje”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.
Sipas Borrell, kjo ishte një zgjidhje evropiane.
Krerët në Kosovë kanë thënë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar SHBA-në dhe BE-në për mbështetjen e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke shtuar se reciprociteti nënkupton barazi.
“Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me marrëveshjen e arritur do të mundësohet që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.
“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërkaq, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, falënderoi të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“E falënderoj emisarin Escobar dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi ai në Twitter.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja e arritur për dokumentet për hyrje-dalje, siguron paqe dhe stabilitet.
“Falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq, sot arritëm të marrim garancitë e nevojshme nga BE-ja dhe në këtë mënyrë të arrijmë marrëveshje për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet serbe. Me të, ne arritëm të sigurojmë paqe dhe stabilitet në Kosovë e Metohi dhe të ruajmë letërnjoftimet serbe për serbët në krahinën jugore, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit. Prandaj mund të them se kemi lajme të rëndësishme”, ka thënë ai përmes një deklarate me shkrime.
Kosova, më 1 gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës. Pasi ata i hoqën barrikadat, Qeveria në Prishtinë shtyu vendimin për 1 shtator.
Ndërkaq, për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ky vendim do të nisë së zbatuari më 1 shtator, pasi Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur, siç ka thënë ai, një “zgjidhje kompromisi”.
(Kohapress/REL)
