Haxhi Sulejmani u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit

Ulqin – Këshilltari i Partisë Demokratike, Haxhi Sulejmani, njëherazi sekretar i përgjithshëm i kësaj force politike, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, në mbledhjen e parë të seancës së parë të rregullt, që është mbajtur të hënën.
Për zgjedhjen e tij në këtë post kanë votuar 19 këshilltarë të shumicës së re qeverisëse, e cila përbëhet nga Partia Demokratike e Socialistëve, koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” (Partia Demokratike, LD në MZ), Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Socialidemokratët e Malit të Zi dhe Partia Boshnjake, kundër kanë votuar katër këshilltarë të Forcës së Re Demokratike, ndërsa këshilltari i Lëvizjes Qytetare URA ka qenë i përmbajtur.
Sulejmani pason në këtë detyrë kryetarin e deritashëm të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, dr. Ilir Çapuni, i cili ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, ndërsa Forca e Re Demokratike ka bërë të ditur më herët se për shkak të mosrealizimit të premtimeve nuk do të jetë më pjesë e koalicionit qeverisës dhe se veprimtarinë e saj do ta vazhdojë si opozitë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
Në fjalën e tij pas dhënies së betimit, kryetari i ri i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Haxhi Sulejmani ka thënë se e ka pranuar këtë detyrë në një moment shumë të vështirë nëpër të cilin po kalon qyteti i Ulqinit për shkak të pandemisë nga COVID-19, pasi që ka vlerësuar se nuk është koha për zgjedhje të reja parlamentare.
Në këtë mbledhje është dashur që të zgjidhet edhe kryetari i ri i Komunës së Ulqinit pasi që kryetari i deritashëm Loro Nrekiq i ka plotësuar kushtet për daljen në pension. Por me kërkesë të Klubit të Këshilltarëve të PDS-së, kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për të mërkurën (dje) për shkak të pamundësisë që kryetari Nrekiq t’u drejtohet këshilltarëve. Nga PDS kanë njoftuar se kandidat i tyre për kryetar të Komunës së Ulqinit është Aleksandar Daboviq, i cili aktualisht është kryearkitekt i kësaj komune.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat