Haradinaj i kërkon Malit të Zi të nisë korrigjimin e kufirit

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit Mali i Zi-Kosovë ka hyrë në fuqi më 4 qershor.
Në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ambasadori i Republikës së Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi, ia ka dorëzuar notën verbale drejtoreshës së përgjithshme për çështjet ligjore ndërkombëtare të Malit të Zi, Tatjana Raspopoviq.
“Pala malazeze është informuar se Kosova i ka përfunduar procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Kufitare Shtetërore midis dy vendeve, e nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015”, shkruan në notën verbale.
Siç njoftohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, në pajtim me nenin 12 të Marrëveshjes, data e dorëzimit të notës së Kosovës gjithashtu është koha kur ka hyrë në fuqi marrëveshja, pasi që të dyja palët kanë përmbushur procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të saj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Mali i Zi që të nisë procesi i korrigjimit të demarkacionit, si pjesë e marrëveshjes së presidentëve të të dyja vendeve.
Këtë kërkesë ai e ka bërë në letrën që Kosova ia ka dërguar Malit të Zi, ku e ka njoftuar për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit.
“E kemi informuar Malin e Zi për ratifikimin e demarkacionit, në të cilën përfshihet marrëveshja e dy presidentëve dhe raporti i Komisionit Shtetëror. Këto letra për procedura të tilla janë zakonisht standard, por kam kërkuar nga Qeveria e Malit të Zi që të nisim me procedurat e rishikimit të demarkacionit”, është shprehur Haradinaj gjatë fjalimit të tij në Kuvendin zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë.
Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet dy shteteve në fund të dhjetorit 2015, ndërsa Kuvendi i Kosovës më 21 mars të këtij viti, pas disa përpjekjesh të dështuara për të siguruar shumicën për shkak të kundërshtimit nga një pjesë e deputetëve me arsyetimin se me këtë marrëveshje Kosova humb territor në dëm të Malit të Zi.  (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat