Hapje e një perspektive të re për Komunën e Ulqinit

Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi, Komuna e Ulqinit dhe “Al Shiddi Group” nga Arabia Saudite, firmosën të mërkurën në Vila Gorica (2 gusht 2023), marrëveshje mirëkuptimi për shqyrtimin e mundësisë së zhvillimit të një kompleksi turistik në pjesën e Kepit të Mavrianit në Ulqin. Kjo marrëveshje u firmos nga kryeministri, Dr. Dritan Abazoviq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari dhe kryetari i “Al Shiddi Group”, Suleiman Al Shiddi. Pas ceremonisë zyrtare të firmosjes së kësaj marrëveshjeje, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari tha se ndjen kënaqësi të veçantë që në këtë mënyrë po hapet një perspektivë e re në vargun e atyre që janë realizuar deri më tani e të cilat siç ka theksuar, kanë qenë me vite të bllokuara. “Me këtë akt po hapim ndoshta njërin ndër potencialet më të mëdha të zhvillimit të Komunës së Ulqinit – Kepin Mavrian. I gëzohem bashkëpunimit me grupacionin Al Shiddi dhe me ndërmarrjet e tjera të cilat do të takohen në këtë rrugë dhe jam i sigurt që në këtë lokacion do të kemi njërën ndër investimet më të mëdha, ndoshta edhe nga ato që sot i kemi në Mal të Zi, siç janë: Lushtica Bay, Portonovi dhe Porto Montenegro”, është shprehur Bajraktari. Ndërkohë, Suleiman Al Shiddi, kryetar i “Al Shiddi Group”, u shpreh i kënaqur që iu dha rasti të jetë në Podgoricë duke thënë se “Al Shiddi Group” vepron që pesëmbëdhjetë vjet në rajon. “Kemi investime të mëdha në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa kemi qëllim që të zgjerohemi dhe të jemi të pranishëm edhe më gjerë se sa ky bashkunim në rajon. Kemi përvojë dhe markë të mirë nga rajoni dhe kështu dëshirojmë ta përcjellim eksperiencën tonë në këtë shtet të mrekullueshëm, të realizojmë projektin në lokacionin e sipërpërmendur. Dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Malit të Zi që na ka dhënë mundësi që të realizojmë këtë investim të shkëlqyeshëm në Mavrian, dhe gjithashtu dëshiroj që t’u falënderohem miqve tonë, mikut tim të nderuar, Ervin Ibrahimoviqit i cili më ka inkurajuar dhe ftuar që të vij ta vizitoj dhe para disa muajve jemi takuar me shkëlqesinë Tuaj dhe kemi premtuar se do të ndërmarrim diçka. Ja që tashmë po firmosim këtë marrëveshje mirëkuptimi”, u shpreh Suleiman Al Shiddi. Ai më tutje ka shtuar se ky do të jetë vetëm fillimi, hapi i parë dhe mundësi e madhe për investitorët arabë në territorin e Malit të Zi. Ndërkaq, kreu i Qeverisë së Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq u shpreh se kjo është një ditë e madhe për Ulqinin dhe për Malin e Zi. “Nëse do të vijë deri tek marrëveshja me Komunën e Ulqinit dhe besoj se do të gjejnë gjuhë të përbashkët, Mali i Zi në këtë lokacion do të fitojë një resort prestigjioz i cili natyrisht do të ketë disa përmbajtje turistike, e sigurisht edhe ekonomi tregtare. Faktikisht ideja është që Mavriani të jetë një qytet i vogël i ri i cili do t’i ketë të gjitha përmbajtjet ngjashëm me lokacionin Lushtica Bay, apo ndoshta me ndonjë vend tjetër”, u shpreh Abazoviq. Ai shprehu besim se ky është një grupacion serioz i cili, siç tha, i ka të gjitha referencat e duhura që të zhvillojë një projekt të tillë. Kryeministri Dr. Dritan Abazoviq duke falënderuar z. Suleiman Al Shiddin, u shpreh se në këtë mënyrë po hapet një tjetër biznes opertuniteti dhe një dritare tjetër edhe për ndërmarrje dhe biznese të tjera nga Arabia Saudite, por edhe nga vendet e tjera. “Sepse, në rast se do të sjellim marka botërore në Mal të Zi, unë mendoj se në një moment do të krijohet një garë ndërmjet tyre, se kush të vijë më parë në vende prestigjioze të cilat Mali i Zi i ofron. Gëzohemi që momentalisht tani është Komuna e Ulqinit, për arsye se tashmë kemi projekte jashtëzakonisht të mira të cilat janë zhvilluar në vende të tjera siç është Boka e Kotorrit dhe Budva. Qëllimi është që lokacionet e tyre prestigjioze t’i valorizojnë edhe Komuna e Tivarit dhe ajo e Ulqinit, dhe unë besoj se ky është një moment të cilit duhet t’i gëzohen të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, u shpreh Abazoviq. Kryeministri Abazoviq gjithashtu theksoi se prurja e markave të reja do të thotë shumë vende të reja të punës për qytetarët e Malit të Zi dhe një vlerë krejtësisht e re turistike. Ai tha se të gjithë njerëzit të cilët dëshirojnë që të punojnë në mënyrë korrekte me biznese të tyre, nga cilido shtet, janë më se të mirëseardhur në Mal të Zi. “Vërtet mendoj se vendi ynë është vend i mundësive dhe gëzohem që shoh biznesmen të tillë të suksesshëm të cilët e njohin këtë potencial të Malit të Zi dhe të cilët e shohin vizionin e zhvillimit të shtetit tonë në pesë, dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzetë vitet e ardhshme”, u shpreh Abazoviq. Ai shtoi se me mbështetjen e qeverisë do të provojnë që sa më parë të vijnë deri tek zgjidhjet konkrete në mënyrë që ky lokacion të fillojë definitivisht të valorizohet.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat