Tuz – Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim me UNI –Universum International College, u firmos të hënën (04 mars 2024) nga kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj dhe përfaqësuesi i bordit të UNI –Universum International College, Suad Berisha.
Nga Komuna e Tuzit bëjnë të ditur se ky memorandum fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, ndërsa me anë të tij, siç kanë thënë, krijohet partneritet për marrëveshje të përgjithshme me Komunën e Tuzit.
“Falë këtij memorandumi hapet një fushë shumë e rëndësishme për të rinjtë tanë, studentët dhe nxënësit nga Malësia për vazhdimin e shkollimit në këtë universitet, si dhe për studime ndërkombëtare”, thuhet në këtë njoftim.
Ndërkaq, ata kanë shpalosur edhe përfitime të tjera të cilat pasojnë si rezultat i nënshkrimit të këtij memorandumi.
“Mundësia e shfrytëzimit të bursave për studime vendore dhe ndërkombëtare, bursave për studime në ASU, shkëmbim të studentëve me universitetet partnere nga programi Erasmus, si dhe aktivitete të tjera kulturore dhe sportive”, theksojnë nga Komuna e Tuzit.
Sipas tyre, mundësitë që ofron ky memorandum bashkëpunimi, do të jenë shumë interesante për të rinjtë e Komunës së Tuzit, për krijimin e një karriere të mirëfilltë akademike.
t. u.