Çdo iniciativë për fuqizimin ekonomik në trevën e Malësisë është sa e nevojshme, po aq e mirëseardhur. Sidomos ato që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e duhur të resurseve natyrore ekzistuese në këto treva e që, për fat të mirë, nuk janë të pakëta. Aq më parë pasi shfrytëzimi i asaj që ekziston është shumë më i levërdishëm sesa krijimi i potencialeve të reja që kërkojnë investime të mëdha, të cilat nuk është e lehtë të sigurohen.
Edhe pse një kohë të gjatë flitet në vazhdimësi për valorizimin e potencialeve natyrore, veprimet konkrete në këtë drejtim janë shumë të rralla. E dimë të gjithë si qëndron situata me potnecialet ekzistuese natyrore, siç janë: Liqeni i Shkodrës, pastaj lumi Cem, bjeshkët përreth, tokat pjellore, burimet e shumta të ujit e kështu me radhë.
Derisa përfaqësuesit politikë ngurrojnë të avancojnë kërkesat e shumta në funksion të nevojave të qytetarëve, dhëmbi i kohës pamëshirshëm kafshon aty ku mungon përkujdesja e njeriut në të mirë të përgjithshme.
Lidhur me këtë, gëzon paralajmërimi i paradokohshëm nga funksionari i lartë i Alternativës Shqiptare, Nikë Gjeloshaj, për ndërtimin e portit në fshatin e bukur të Malësisë, Nënhelm. Iniciativat e ngjashme janë shpresëdhënëse që, më në fund, banorët vendas në radhë të parë, të përfitojnë nga prona e tyre dhe ajo që është trashëguar nëpër shekuj në këto treva. Aq më parë, pasi hapja e vendeve të reja të punës është nevojë parësore për të ndaluar emigrimin e të rinjve nga fshatrat e Malësisë e që duhet të jetë emëruesi i veprimtarisë së përbashkët të lidershipit politik dhe të gjitha formave të tjera të organizuara që veprojnë në trevën e Malësisë.
Aktualisht është duke u zhvilluar debati publik për ProjektPlanin Hapësinor “Parku Nacional i Liqenit të Shkodrës”. Siç është e njohur, baseni i këtij liqeni ofron kushtet maksimale sidomos për zhvillimin e bujqësisë, peshkimit dhe turizmit. Mirëpo, kjo domosdo nënkupton ndërtimin e infrastrukturës adekuate sepse, në të kundërtën, shfrytëzimi i duhur në funksion të popullatës vendase është, pothuajse, i pamundur. Sa më parë që të ndodhë kjo, aq më mirë për shoqërinë në përgjithësi, sepse është momenti i fundit të shpëtohet ajo që është dhuruar nga vetë natyra dhe, njëkohësisht, të valorizohet në funksion të zhvillimit të fshatrave përreth, siç ndodh në shoqëritë të cilat planifikojnë të ardhmen. K. Dukaj
