Ura e re për automjete mbi lumin Ibër, e ndërtuar në afërsi të urës ekzistuese e cila simbolizon ndarjen etnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, përkatësisht ndarjen e pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës, është hapur për qarkullim të martën në mëngjes.
Ndërtimi i urës është financuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa është ndërtuar në një kohë rekord – për më pak se dy muaj.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në rrjetin social Facebook se janë dashur më pak se dy muaj për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër.
“Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, ka shkruar ai.
Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar një fotografi të automjeteve duke kaluar mbi urën e re dhe ka shkruar: “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”.
Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë. Punimet në urën tjetër (për këmbësorë) vijojnë dhe ajo pritet të hapet në vjeshtë.
Nga Qeveria e Kosovës kanë përsëritur vazhdimisht se ndërtimi i dy urave të reja ka për qëllim lidhjen e Mitrovicës së Jugut me Mitrovicën e Veriut, të ndara etnikisht që pas luftës së vitit 1999.
Ndërtimi i tyre është kundërshtuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka organizuar edhe nënshkrimin e një peticioni kundër ndërtimit të dy urave.
Bashkimi Evropian ka thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
Sipas përfaqësuesve të BE-së, “është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”.
Ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila lidh pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës, vazhdon të jetë e hapur vetëm për këmbësorë, përkundër paralajmërimit disa herë për hapjen e saj edhe për automjete, herën e fundit në korrik të vitit të kaluar, në bazë të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
(Kohapress)
