Drejtoria për Komunikacion ka hapur më në fund tenderin për rikonstruksionin e pjesës së rrugës regjionale R29, prej Krythës deri në Tivar, me gjatësi 14 kilometra, e cila lidh Tivarin me Anën e Malit dhe pikën e kalimit kufitar Sukubinë-Muriqan.
Vlera e përgjithshme e punimeve është 12 milionë euro, kurse afati për kryerjen e punimeve është jo më i shkurtër se 20 dhe jo më i gjatë se 30 muaj nga fillimi i punimeve nga firma ndërtimore fituese. Afati i garancisë është tre vjet pas kryerjes së punimeve rrugore.
Firmat e interesuara për të aplikuar në tender mund t’i dorëzojnë ofertat e tyre deri më 15 janar 2024, në orën 10.
Shpallja e tenderit për rikonstruksionin e këtij aksi rrugor është paralajmëruar disa herë në të kaluarën, por është shtyrë. Kjo ka bërë që banorët e Anës së Malit dhe të Mërkotit të protestojnë disa herë për shkak të shtyrjes së hapjes së tenderit, kurse nga Qeveria e Malit të Zi janë arsyetuar se nuk janë krijuar parakushtet për këtë për shkak të mospërfundimit të procesit të eksproprijimit të tokës, përkatësisht zgjidhjes së raporteve pronësore-juridike me pronarët e tokave buzë rrugës.
Aksi rrugor nga Tivari deri në Krythë (të Katërkollës), që kalon përmes Mërkotit, është në gjendje të mjeruar dhe jashtë çdo standardi për shkak të amortizimit dhe mosndërhyrjes së institucioneve përgjegjëse. Që prej hapjes së pikës kufitare Sukubinë-Muriqan, qarkullimi i automjeteve në këtë rrugë ka ardhur duke u rritur për çdo vit. Gjendja e tillë e kësaj rruge është bërë shpesh shkak i aksidenteve rrugore, që për pasojë kanë pasur edhe viktima.
(Kohapress)