Ulqin – Edicioni i 18-të i Panairit të Librit në Ulqin do të çelë siparin nesër mbrëma dhe do të zgjasë deri më 8 gusht.
Sipas traditës, Panairi do të mbahet në shëtitoren në Ranë, pranë lokalit “Hollegro”.
Organizatorë të edicionit të sivjetshëm janë Qendra për Kulturë – Ulqin, Organizata Turistike e Ulqinit dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Tirana, nën kujdesin e Komunës së Ulqinit.
Organizatorët kanë bërë të ditur se rreth 50 botues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të Panairit ose do t’i dërgojnë botimet e tyre nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Krahas botuesve shqiptarë nga vendet e rajonit, në panair pritet të marrin pjesë edhe disa botues nga Mali i Zi dhe pakicat e tjera kombëtare të këtij shteti.
Në Panairin e Librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, albume e katalogë të llojeve të ndryshme etj. për lexuesit vendas dhe pushuesit.
Në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit është parashikuar të marrin pjesë dhe të presin shiritin ministrat e Turizmit të Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe ministri i Kulturës së Kosovës.
Ndërkaq nga shkrimtarët e ftuar, do të jenë të pranishëm shkrimtari dhe ish-politikani Namik Dokle, si dhe shkrimtari dhe ish-ministri i Kulturës së Malit të Zi, Pavle Goranoviq, me të cilët gjatë ditëve të Panairit do të organizohen mbrëmje autoriale. (Kohapress)
