Hapet edicioni i 20-të jubilar i Panairit të Librit

Edicioni i 20-të jubilar i Panairit të Librit në Ulqin do të hapet sonte në shëtitoren në Ranë, me pjesëmarrjen e rreth 50 botuesve nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të rajonit.
Panairi i Librit do të zgjasë pesë ditë, deri më 2 gusht, ndërsa organizohet nga Komuna e Ulqinit, Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë, Qendra e Kulturës – Ulqin dhe Organizata Turistike e Ulqinit.
Nderin për ta hapur edicionin e sivjetshëm të Panairit të Librit e kanë krerët e Akademive të Shkencave të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë ditëve të Panairit do të organizohen mbrëmje letrare kushtuar shkrimtarit të ndjerë malazez Radovan Zogoviq dhe shkrimtarit shqiptar Rudolf Marku. Po ashtu do të shfaqet edhe dokumnentari që përshkruan rrugën 20-vjeçare të Panairit të Librit.
Këtë edicion, për të dytën herë, do të ndahen çmimet: Çmimi “Liburnia” – për prozën më të mirë të botuar nga autorët shqiptarë në periudhën 2020-2021, Çmimi “Dega e ullirit” – për librin më të mirë për fëmijë të shkruar nga autorë shqiptarë, botuar në 2020-2021, dhe Çmimi “Servantes” – për përkthimin më të mirë të botuar më 2020-2021. Në konkurrim marrin pjesë vetëm botimet e pjesëmarrësve në Panairin e Librit dhe fituesit do të përzgjidhen nga juria.
Panairi i Librit në Ulqin, i cili mbahet rregullisht që nga viti 2001 (me përjashtim të vitit të kaluar që nuk është mbajtur për shkak të pandemisë së COVID-19), konsiderohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në këtë qytet gjatë sezonit të verës.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat