Podgoricë – Shumica parlamentare e përbërë nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë miratuar të martën (2 nëntor 2022) pas mesnate, pas një seance maratonë, ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, duke kufizuar kompetencat kushtetuese të Presidentit Millo Gjukanoviq.
Iniciativa për ndryshimet e Ligjit për Presidentin erdhi pasi që Gjukanoviq refuzoi të mandatojë kryetarin e DEMOS-it, Miodrag Lekiq, për mandatar për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi.
Ndryshimet e miratuara nga 41 deputetët e shumicës në Kuvendin e Malit të Zi kufizojnë kompetencat e Presidentit lidhur me procedurën e zgjedhjes së mandatarit për përbërjen e qeverisë, e cila kalon në shumicën parlamentare, dhe emërimit dhe tërheqjes së ambasadorëve, e cila praktikisht kalon nga Gjukanoviqi te Qeveria.
Opozita ka kritikuar ashpër këtë vendim të shumicës parlamentare. Ata e vlerësuan këtë akt si grusht shteti kushtetues dhe kolaps kushtetues të Malit të Zi.
Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit dhe partitë opozitare të afërta me të akuzuan shumicën parlamentare për “kryerjen e grusht shtetit kushtetues, dhunë ligjore dhe rrëzimin e rendit kushtetues të Malit të Zi”.
Edhe organizata të shumta joqeveritare, përfshirë Rrjetin për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), Qendrën për Edukim Qytetar, Qendrën për Tranzicion Demokratik etj. kanë kritikuar këtë vendim, ndërsa shumica parlamentare ka thënë se ligji është përgjigje ndaj shkeljes dhe uzurpimit të kushtetutës nga presidenti.
Reagime ndaj miratimit të këtij ligji nga Kuvendi ka pasur edhe nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian është i shqetësuar me miratimin e Ligjit për Presidentin nga Kuvendi i Malit të Zi.
“Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese efikase, ku Kuvendi ka dështuar në mënyrë të përsëritur të emërojë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve për të siguruar funksionimin e duhur të saj”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, ambasadorja amerikane në Podgoricë, Judy Rising Rajnke, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale politike.
Vendimi i Kuvendit të Malit të Zi ka nxitur protesta të grupeve të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët i kanë kundërshtuar këto ndryshime dhe janë tubuar para godinës së Kuvendit.
Protestuesit kanë mbajtur parulla si “Stop dhunës institucionale”; “Agjencia ruse jashtë”; “Jo grushtit të shtetit”, ndërsa kanë thënë se partitë politike ndahen në ato që janë për Malin e Zi dhe ato që janë kundër tij dhe se ndryshimet e miratuara rrezikojnë fatin politik, shtetëror dhe kombëtar të Malit të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka refuzuar të dekretojë Ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, duke ia kthyer Kuvendit për rishqyrtim. Në shkresën dërguar të hënën kryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviq, ai ka theksuar se me dekretimin e këtij ligji, hyrjen e tij në fuqi dhe me veprimin e presidentit “në përputhje me tekstin e tij, veprimin, kuptimin dhe frymën”, pashmangshëm do të hapej çështja e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë si dhe e sigurisë juridike dhe politike në sistemin ligjor të Malit të Zi”.
(Kohapress)
