Gjest human e fisnik

Ulqin – Familja e të ndjerit Emro Abazoviq, djaloshit të ri nga Ulqini që humbi luftën me kancerin dy vjet më parë, i ka dhuruar mjetet financiare për blerjen e skanerit CT për Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin.
Ministrja e Shëndetësisë, dr. Jelena Boroviniq – Bojoviq, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Sadije Hollaj, dhe Allmir Abazoviq, babai i të ndjerit, kanë firmosur të mërkurën e kaluar kontratën mbi donacionin me vlerë 246.615 euro për blerjen e skanerit.
Abazoviq ka treguar se pas tragjedisë familjare dhe ndihmës së madhe të njerëzve me zemër të madhe kanë vendosur që paratë e grumbulluara për shërimin e djalit të tyre t’i dedikojnë për blerjen e skanerit, në mënyrë që qytetarët e Ulqinit të mund të fitojnë në kohë diagnozën adekuate.
“Shpresoj që Zoti t’i mbrojë ata dhe familjet e tyre dhe të mos përjetojnë atë që kam përjetuar unë. Sa i përket blerjes së skanerit CT, kjo ishte dëshira jonë e cila u plotësua. Dhashtë Zoti që të mos i duhet kujt, por le të jetë aty, sepse e di çfarë rëndësie ka ai aparat për përcaktimin sa më parë të diagnozës në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të madhe që të luftojnë me të gjithë këtë”, ka thënë ai.
Ministrja e Shëndetësisë, dr. Jelena Boroviniq – Bojoviq, ka falënderuar familjen Abazoviq, por edhe të gjithë qytetarët e Ulqinit dhe diasporës për gjestin human, për të cilin, siç ka thënë, “prej tani, për të parën herë në Malin e Zi, në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor qytetarët e Ulqinit por edhe tërë regjionit jugor do të kenë mundësi të kryesjnë diagnozën me skanerin CT”.
“Duke iu falënderuar këtij aparati, shumë sëmundje mund të zbulohen në kohë”, ka deklaruar ajo.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Sadije Hollaj, ka falënderuar po ashtu familjen Abazoviq për dhuratën për Ambulancën e Ulqinit, qytetarët e kësaj komune dhe më gjerë.
“Ju sot na dëshmuat të gjithëve që mirësia, bujaria e humanizmi gjejnë gjithmonë mënyrën për të triumfuar. Dhembjen e madhe për humbjen e djalit tuaj e shndërruat në vendim fisnik për të ndihmuar të tjerët të kenë jetë e shëndet më të mirë duke bërë donacion skanerin e teknologjisë më të re për Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin. Faleminderit për shembullin që na dhatë sot e respekt për qëndresën dhe përkushtimin tuaj për të ndihmuar të tjerët, sidomos ata në nevojë. Paçi shëndetin e bekime për ju përherë”, është shprehur ajo.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat