Gjendja me COVID-19 e rëndë

Situata epidemiologjike me virusin Corona në Mal të Zi vazhdon të jetë e rëndë. Me përhapjen e variantit Delta është shënuar edhe rritja e numrit të të sëmurëve nga Corona, sidomos te të rinjtë. Po ashtu është rritur ndjeshëm numri i personave që kanë humbur jetën. Autoritetet thonë se shumica e tyre nuk kanë qenë të vaksinuar, ose kanë pasur dhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Vaksinimi masiv kundër COVID-19 i popullatës në Mal të Zi ka filluar më 4 maj, por ende lë për të dëshiruar.
Dozën e parë të vaksinës deri tani e kanë marrë 41.2 për qind, ndërsa tërësisht janë vaksinuar 38.5 për qind e popullatës së përgjithshme. Sipas Institutit për Shëndetin Publik, numri më i vogël i të vaksinuarve shënohet në radhën e të rinjve. Ndërkohë që ka filluar edhe marrja e dozës së tretë, sidomos për personat mbi 60 vjeç.
Së fundmi janë shënuar edhe raste të të infektuarve në radhët e nxënësve, mësimdhënësve dhe në universitete. Por Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit thotë se nuk ka të dhëna për numrin e mësuesve të vaksinuar.
Edhe pse situata me virusin Corona vazhdon të jetë e rënduar, Instituti i Shëndetit Publik në Malin e Zi në masat e fundit të prezantuara nuk ka rekomanduar masa shtesë të kufizimeve. Mbajtja e maskave është pothuajse minimale, lokalet dhe qendrat tregtare janë të hapura, e në restorante dhe bare nuk kërkohen teste.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Gjermania do të ndihmojë Malin e Zi në përballjen me pandeminë.
Ministrja e Shëndetësisë të Malit te Zi, Jelena Boroviniq – Bojoviq, paralajmëroi nga Berlini se Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë do t’i dhurojë Malit të Zi terapitë më bashkëkohore për stadet fillestare të sëmundjes COVID, me vlerë 3.172.454 euro. Po ashtu pritet dhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Nga fillimi i pandemisë deri të martën në Mal te Zi kanë humbur jetën 2 075 qytetarë. Autoritetet shëndetësore apelojnë te popullata që të vaksinohet.

(Kohapress/DW)

Të fundit

më të lexuarat