Tuz – Kreu i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj ka reaguar në lidhje me thirrjen publike që Drejtoria për Statistika “Monstat” i ka dërguar Komisionit Komunal të Tuzit për regjistrimin e popullsisë për vitin 2023, duke theksuar se ky material nuk është dërguar në gjuhën shqipe, përveç, siç ka thënë, në gjuhën malazeze, serbe, boshnjake dhe kroate.
“Materiali për thirrjen publike nuk është dërguar në gjuhën e vetme zyrtare të mbetur – në gjuhën shqipe! Nuk janë dërguar, por as nuk janë publikuar rrethet regjistruese, që janë veçanërisht të rëndësishme, pasi, sipas të dhënave tona, Komuna e Zetës i ka dërguar, dhe Drejtoria e Statistikës i ka pranuar rrethet regjistruese që depërtojnë thellë në Komunën e Tuzit. Kryeqyteti Podgoricë nuk i ka dorëzuar aspak rrethet regjistruese, as kufijtë e vendbanimeve, ndërsa Drejtoria e Statistikës i përdor të dhënat e vitit 2011 për Kryeqytetin, që i takojnë kohës kur Tuzi dhe Zeta ishin pjesë përbërëse e kryeqytetit”, është shprehur Gjeloshaj.
Ai ka njoftuar se me insistimin e Komunës së Tuzit, që rrethet regjistruese të caktohen dhe të pranohen sipas ligjit, që një vendbanim nuk mund të jetë në dy komuna kadastrale, Drejtoria për Statistikë- ka thënë ai- nuk ka reaguar dhe në këtë mënyrë ka bërë që të jetë e pamundur që regjistrimi i popullsisë në Komunën e Tuzit të zbatohet në përputhje me ligjin.
“Komisioni Komunal i Regjistrimit, në krye të të cilit jam unë, nuk mund të zbatojë procedurat e nevojshme për regjistrim në mënyrë të ligjshme. Thirrjet publike që publikohen në komunën tonë duhet të jenë edhe në gjuhë shqipe. Në emblemën e regjistrimit me shkronja latine dhe qirilicë, duhet të jetë edhe shkrimi në gjuhë shqipe, dhe përfundimisht ne duhet të jemi të njoftuar se si janë të përcaktuara rrethet regjistruese për të ditur se ku zbatohet regjistrimi”, ka thënë Gjeloshaj.
Ai më tej është shprehur se udhëheqësia e Drejtorisë për Statistika nuk tregon njohuri elementare për ta kryer këtë proces sipas standardeve dhe ligjit, prandaj, siç ka thënë ai, qeveria duhet të reagojë urgjentisht, ta shtyjë regjistrimin për 30 ditë, të ndërrojë udhëheqësinë e Drejtorisë për Statistika dhe ata t’i zëvendësojë me ekspertë që kanë njohuri të nevojshme dhe që, sipas tij, nuk kanë motive shoviniste.
“Paramendoni kur një organ i shtetit e punon emblemën që duket sikur Kisha e Njegoshit për të cilën dikush përpiqet që ta ndërtojë diku një ditë, një gjë që absolutisht nuk më prek, por regjistrimi i popullsisë është për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, dhe çfarë atëherë të pritet nga kokat e tilla; por është e sigurt dhe e qartë që aty ku të jem unë vendimmarrës veprimet dhe idetë e tilla nuk do t’i lejoj, është shprehur mes tjerash Gjeloshaj.
Ai përmes këtij njoftimi në rrjetin social fejsbuk, ka kërkuar që qeveria urgjentisht të reagojë, në mënyrë që të mundësohet që regjistrimi i popullsisë të zbatohet sipas ligjit dhe, siç ka thënë, pa asnjë diskriminim.
ryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj është njëherësh edhe kryetar i Komisionit Regjistrues të Komunës së Tuzit.
Regjistrimi i popullsisë, i amvisërive dhe i shtëpive do të zhvillohet nga data 1 deri më 15 nëntor 2023. Regjistrimi i fundi i popullsisë në Mal të Zi është bërë në vitin 2011.
t. u.