Tuz – Në një takim që kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj zhvilloi me kreun e delegacionit të Fondit për Investime dhe Zhvillim të Malit të Zi, Velizar Kallugjeroviq dhe me drejtoreshën ekzekutive, Dr. Irena Radoviq, është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit dhe për forcimin e potencialit zhvillimor të Komunës së Tuzit.
Gjatë këtij takimi kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, prezantoi projektet zhvillimore që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, projektet me rëndësi lokale, rajonale dhe shtetërore, në pritje të mbështetjes së kredisë nga FIZH, për realizimin e prioriteteve strategjike të Komunës.
Si projekt prioritar, Gjeloshaj veçoi rindërtimin e rrugës Tuz-Hot, rregullimin e shtratit të Lumit Urrela, rindërtimin e pjesës së rrugës Podgoricë-Tuz nga kthesa për Shipshanik, si dhe projekte për ndërtimin dhe modernizimin e objekteve të infrastrukturës sportive në territorin e Komunës së Tuzit.
Gjatë takimit, kryetari i Komunës së Tuzit theksoi faktin se Tuzi është një njësi e vetëqeverisjes lokale që ka financa të shëndetshme dhe të qëndrueshme, rregullsi në shlyerjen e të gjitha detyrimeve ndaj shtetit dhe subjekteve të tjera, dhe se ky aspekt është një kandidat serioz për kredi të mundshme të infrastrukturës në periudhën e ardhshme.
Menaxhmenti i Fondit për Investime dhe Zhvilli, informoi kryetarin e Komunës së Tuzit, z. Gjeloshaj, për mbështetjen aktuale të FIZH-së për biznesmenët nga territori i Komunës së Tuzit dhe programet aktuale të mbështetjes së kredive, të destinuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me theks të veçantë në aktivitetet e planifikuara të FIZH-së për përmirësimin e infrastrukturës lokale, në bashkëpunim me të gjitha komunat në Malin e Zi, dhe me fondet në dispozicion për tranzicionin e gjelbër, në drejtim të burimeve të energjisë së rinovueshme dhe forcimin e efikasitetit të energjisë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe biznesit.
Në takim, palët theksuan se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë i shërbimeve të Komunës së Tuzit me shërbimet e ekspertëve të FIZH-it dhe të Qeverisë së Malit të Zi, do të krijojë parakushte për mbështetje financiare për zbatimin e projekteve prioritare të Komunës së Tuzit.
t. u.
