Podgoricë – Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, së bashku me anëtarët e KKSH-së, Smail Maliq Çunmulaj dhe Adriana Hoxha, të hënën u pritën nga ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka.
Në deklaratën për shtyp të KKSH-së thuhet se ky ishte njëherit edhe takimi i parë zyrtar që kryetari Nika zhvilloi me marrjen e funksionit të kryetarit të KKSH-së.
Ministri Zenka fillimisht e uroi kryetarin Nika për postin e ri dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim.
Në vazhdim kryetari i KKSH-së shtroi disa tema me rëndësi për diskutim, si: përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike dhe nevoja e hapjes së një zyreje për përkthimin e ligjeve e dokumentacioneve të ndryshme, Ligji për simbolet kombëtare, regjistrimi i studentëve shqiptarë në universitete përkatëse brenda Malit të Zi dhe në rajon, rënia e vazhdueshme e numrit të shqiptarëve në Mal të Zi, gjegjësisht emigrimi i tyre etj.
Të dy palët u pajtuan për një bashkëpunim të frytshëm dhe urë kontakti sa më të fortë. (Kohapress)
