Garojnë pesë lista zgjedhore

Ulqin – Në zgjedhjet lokale në Ulqin, që do të mbahen më 27 mars 2022, do të garojnë pesë lista zgjedhore, prej të cilave tre koalicione dhe dy parti politike.
Tashmë është bërë e ditur edhe renditja e listave zgjedhore në fletëvotim, ku numrin 1 do ta ketë Koliacioni Shqiptar Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi, numrin 2 Demokratët, numrin 3 Koalicioni “Për një fillim të ri”, i përbërë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Demokratike, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa Shqiptare, numrin 4 Forca e Re Demokratike dhe numrin 5 koalicioni Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Boshnjake.
Afati për dorëzimin e listave ka qenë deri më 1 mars 2022. Komisioni komunal i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore e ka refuzuar listën zgjedhore të Lidhjes Patriotike-Komite.
Në zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Ulqinit, të mbajtura më 4 shkurt 2018, Partia Demokratike e Socialistëve dhe Forca e Re Demokratike fituan nga tetë këshilltarë, Koalicioni “Zgjohu Ulqin”, i përbërë nga Partia Demokratike, Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe LD në MZ shtatë këshilltarë, UDSH dhe Socialdemokratët nga tre këshilltarë, Lëvizja Qytetare URA dy këshilltarë si dhe PSD dhe Partia Boshnjake nga një këshilltar. Më pas u krijua koalicioni qeverisës paszgjedhor nga forcat fituese, kurse në opozitë mbeten vetëm Lëvizja Qytetare URA dhe PSD.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat