Forcim i lidhjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy komunave

Pejë – Komuna e Ulqinit dhe ajo e Pejës kanë nënshkruar më 15 qershor 2024 (e shtunë) marrëveshjen e binjakëzimit.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Qëllimi i marrëveshjes së binjakëzimit është forcimi i lidhjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy komunave, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në administrim dhe zhvillim lokal, si dhe promovimi i marrëdhënieve kulturore e ekonomike midis Ulqinit dhe Pejës.
“Peja me natyrën e bukur malore dhe Ulqini me bukuritë bregdetare ofrojnë përvoja të ndryshme të turizmit, që mund të pasurojnë njëra-tjetrën dhe të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe social të qyteteve tona”, thuhet në deklaratën pas nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit.
Përfaqësuesit e dy komunave kanë theksuar se në frymën e miqësisë dhe vullnetit të mirë do të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët të komuniteteve të tyre duke i hulumtuar mundësitë për arsim, ekonomi, kulturë, si dhe mundësitë tjera për bashkëpunim.
Sipas tyre, ky binjakëzim synon po ashtu të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të dy komunave dhe më gjerë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat