Forcës së Re Demokratike i merret një këshilltar, përsëritje e zgjedhjeve në dy vendvotime

Ulqin – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka anuluar vendimet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Ulqin, duke i hequr një mandat të këshilltarit Forcës së Re Demokratike dhe duke ia dhënë atë Partisë Boshnjake, si dhe duke vendosur për përsëritjen e zgjedhjeve në dy vendvotime në komunën e Ulqinit.
KShZ ka miratuar ankesën e Partisë Boshnjake ndaj vendimit të KKZ-së Ulqin, duke iu referuar parimit të aksionit afirmativ, të parashikuar me nenin 94 të Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve.
Por nga Forca e Re Demokratike kanë thënë se bëhet fjalë për një vendim i cili nuk është i bazuar as në Kushtetutën e Malit të Zi e as në Ligjin zgjedhor, si dhe që nuk është i harmonizuar me principin e aksionit afirmativ të bazuar në nenin 79 të Kushtetutës së Malit të Zi.
“Bëhet fjalë për një vendim politik me të cilin dëshirohet të dobësohet pozicioni negociues i partive kombëtare shqiptare në procesin paszgjedhor të formimit të pushtetit në Komunën e Ulqinit”, ka thënë ndër të tjera Gëzim Haxhibeti, përfaqësues ligjor i kësaj partie, në një konferencë për media.
Forca e Re Demokratike ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese të Malit të Zi ndaj vendimit të KShZ-së.
“Forca e Re Demokratike është e obliguar që të përdorë të gjitha mjetet juridike për të vërtetuar ligjshmërinë e Vendimit të KShZ-së, gjë që do ta bëjë me dorëzimin e Ankesës kushtetuese Gjyqit Kushtetues të Malit të Zi, kundër vendimit i cili shkon në dëm të popullit shqiptar si popull pakicë në Mal të Zi”, ka thënë Haxhibeti.
KShZ ka vendosur po ashtu të hënën që të miratojë ankesën e Demokratëve të Malit të Zi për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimet numër 13 (Darzë) dhe 34 (NKP), duke anuluar vendimin e KKZ-së Ulqin, e cila më parë kishte hedhur poshtë ankesën e Demokratëve.
Numri i përgjithshëm i votuesve në këto dy vendvotime është 1243, prej të cilëve në zgjedhjet lokale të mbajtura më 4 shkurt kanë votuar 704 votues.
Prandaj përsëritja e zgjedhjeve në këto dy vendvotime mund të ndryshojë rezultatet paraprake të zgjedhjeve, të bëra publike nga KKZ – Ulqin, sipas të cilave Partia Demokratike e Socialistëve dhe Forca e Re Demokratike kanë fituar nga nëntë këshilltarë, Koalicioni “Zgjohu Ulqin” (Partia Demokratike, LD në MZ dhe Lëvizja Qytetare “Perspektiva”) shtatë këshilltarë, UDSH dhe Socialdemokratët e Malit të Zi nga tre këshilltarë, si dhe Lëvizja Qytetare URA dy këshilltarë. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat