Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu priti të premten (23 janar 2026) në një vizitë zyrtare ministrin e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të Veriut, Damjan Qullafiq.
Gjatë takimit u diskutuan tema me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal, me fokus në ekologji, zhvillim të qëndrueshëm dhe projekte infrastrukturore strategjike për Ulqinin.
Në qendër të bisedimeve ishte bashkëpunimi i deritanishëm mes Komunës së Ulqinit dhe Ministrisë së Ekologjisë, veçanërisht themelimi i ndërmarrjes për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit, marrëveshja për të cilën pritet të nënshkruhet më 30 janar 2026.
Në deklaratën për media, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu falënderoi për vizitën ministrin Qullafiq me bashkëpunëtorët e tij.
“Ne kemi pasur një vit intensiv bashkëpunimi gjatë vitit 2025 dhe gjatë këtij viti kemi arritur deri te marrëveshja për themelimin e ndërmarrjes për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit. Sot jemi fokusuar shumë më tepër në çështje të tjera, të cilat i kemi inicuar, çështje që lidhen me sistemin e ri të ujësjellësit dhe kanalizimit, projekt i cili është duke u realizuar për katër zona: Braticë, Mal të Bardhë, Totosh dhe Kodër, dhe i cili duhet të dorëzohet-pranohet gjatë këtij viti”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka theksuar se kanë diskutuar po ashtu edhe për sfidat dhe problemet që kanë me kreditë, respektivisht huatë nga banka KfW, projekt i cili po zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë “Jedinstvo”.
“Kemi arritur deri në nivelin e bordit për zbardhjen e problematikave që potencialisht mund të çojnë në një arbitrazh të mundshëm. Komuna e Ulqinit është shumë e fokusuar që ky të jetë një projekt i suksesshëm, por sfidat e vetë projektit janë shumë të mëdha dhe për to do të informohen edhe ministri dhe ministria përkatëse”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka treguar se kanë biseduar edhe për çështjen e Port Milenës, lumin Buna dhe daljen e tij në det.
“Ju e dini se Ulqini, aktualisht, sistemin e kanalizimit e ka me dy gryka, që derdhen në det dhe problemi i Port Milenës është shumë ngushtë i lidhur me vënien në funksion të daljes që ndodhet në Kepin e Gjeranave. Për këtë arsye, aktivitetet tona të përbashkëta në periudhën e ardhshme do të jenë shumë më tepër të fokusuara në këto çështje, por edhe në mbrojtjen e Kripores, si dhe në mbrojtjen e zonës së Plazhit të Madh, të cilën e kemi përgjegjësi tonën. Jam i sigurt se të gjitha këto punë do të jenë të suksesshme”, ka thënë Nimanbegu, duke bërë të ditur se data 30 janar 2026 është caktuar zyrtarisht për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërmarrjen që do të merret me mbrojtjen e Kripores së Ulqinit.
I pyetur se si i sheh projektet e prezantuara nga Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare”, ai u shpreh se me këtë ndërmarrje, Komuna e Ulqinit ka marrëdhënie ftohtë-nxehtë.
“Prandaj shumë shpesh kërkojmë prej tyre që projektet të futen në fazën e realizimit.
Ju e dini që problemi i Molit të Ulqinit ende nuk është zgjidhur, edhe pse kemi insistuar tash e dy vite që ai të riparohet. Kemi pasur shpresa që përmes tenderit, të cilin e kemi inicuar, të realizohet shëtitorja nga Hoteli ‘Albatros’ deri te Kepi i Gjeranave dhe që ajo të hapet sa më parë. Megjithatë, nuk jemi të informuar për ecurinë e këtij procesi dhe, sigurisht, nuk jemi të kënaqur me qëndrimin e ‘Të Mirave Detare’, pasi çdo proces është duke u zvarritur”, është shprehur kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Nga ana tjetër, ministri Qullafiq vlerësoi lart bashkëpunimin me Komunën e Ulqinit dhe e cilësoi vitin 2025 si shumë të suksesshëm në aspektin e projekteve të përbashkëta.
“Para së gjithash, dua të theksoj se jam i kënaqur që edhe këtë vit vizitën time të parë të punës e filloj në komunën e Ulqinit, njësoj si në vitin 2025, vit të cilin e vlerësoj si mjaft të suksesshëm në bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Ekologjisë dhe Komunës së Ulqinit. Dëshiroj që, publikisht, të falënderoj kryetarin Nimanbegu dhe bashkëpunëtorët e tij për gjithë mirëkuptimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë, në përgjithësi, Ministrisë së Ekologjisë. Ky është një nga shembujt se si duhet të funksionojë bashkëpunimi me çdo vetëqeverisje lokale dhe është një mesazh që e njeh edhe Komisioni Evropian, se bashkëpunimi i mirë ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal në zgjidhjen e të gjitha çështjeve shihet si vullnet i mirë dhe ndihmon në mbylljen e përkohshme të kapitullit 27”, ka thënë ai.
Qullafiq theksoi se kjo vizitë pune ka rëndësi të veçantë, pasi është realizuar në prag të nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e ndërmarrjes menaxhuese të Kripores së Ulqinit, e cila do të nënshkruhet javën e ardhshme.
“Formimi i ndërmarrjes menaxhuese të Kripores së Ulqinit është detyrimi më i madh në fushën e kriterit përfundimtar ‘Mbrojtja e Natyrës’, në kuadër të kapitullit 27”, vlerësoi ministri.
Ai kujtoi se Qeveria e Malit të Zi dhe Komuna e Ulqinit kohët e fundit kanë arritur marrëveshje për formimin e ndërmarrjes menaxhuese të Parkut të Natyrës Kriporja e Ulqinit, duke vendosur kështu themelet për menaxhim afatgjatë të njërit prej ekosistemeve më të vlefshme në Mal të Zi dhe duke bërë një hap të rëndësishëm drejt mbylljes së kapitullit 27, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së natyrës.
Duke folur për projektet në fushën e rregullimit të rrjetit të kanalizimit, furnizimit me ujë dhe pastrimit të ujërave të zeza, ministri Qullafiq ka thënë se Ministria, përmes njësive të saj zbatuese PROCON dhe VODACOM, do të marrë pjesë aktive dhe do të përshpejtojë realizimin e tyre.
Ai shtoi se gjatë vizitës janë shqyrtuar shumë çështje, ndër të tjera edhe problemi i ndotjes së mundshme të lumit Buna, “ku kemi konstatuar se bëhet fjalë për një problem shumë kompleks, i cili në këtë moment dhe në të ardhmen nuk mund të trajtohet vetëm nga Ministria e Ekologjisë, por kërkon një qasje ndërsektoriale”.
“Në një nga mbledhjet e para të ardhshme të Qeverisë do ta paraqes këtë çështje në formë informacioni, me qëllim që të angazhojmë edhe ministritë e tjera kompetente brenda fushave të tyre dhe t’i qasemi këtij problemi në mënyrë ndërsektoriale, duke u përpjekur ta zgjidhim në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit”, ka thënë ministri Qullafiq.
Ai vlerësoi se në Mal të Zi ka shumë sfida në fushën e ekologjisë, “por asnjëra prej tyre nuk do ta ngadalësojë rrugën tonë evropiane, sepse Komisioni Evropian e njeh faktin që ne po punojmë aktivisht për zgjidhjen e çdo problemi”.
Pas takimit me përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit, ministri Damjan Qullafiq bashkë me bashkëpunëtorë vizitoi shkarkuesin nënujor dhe Port Milenën (Plazhi i Madh), si dhe Kriporen e Ulqinit.
D. Teliqi
