Partia Socialiste është konfirmuar si partia më e madhe në Shqipëri edhe në votimet për zgjedhjet parlamentare të së dielës. Rezultatet paraprake e japin atë si fituesen e qartë me një diferencë të thellë ndaj rivales kryesore, Partisë Demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha. Socialistët kanë ruajtur avantazhin e shfaqur që në fillim të procesit, duke siguruar mbi 48 përqind të votave, ose 7 pikë më shumë krahasuar me rezultatin e vitit 2013. Një rezultat mjaft i lartë për një forcë politike pas katër vitesh në pushtet.
Nga ana e saj, opozita duket se ka pësuar një tjetër tkurrje nga humbja e thellë që pësoi në zgjedhjet e 2013. Partia Demokratike, e cila kishte përfshirë në listat e saj dhe drejtuesit e partive kryesore të djathta, rezulton me 28.8 përqind të votave, afërsisht 2 pikë më poshtë se në 2013.
Lëvizja Socialiste për Integrim, është konsoliduar si forca e tretë në vend, duke siguruar një rritje më afër 3.8 pikë nga zgjedhjet e kaluara. Me një përmirësim prej dy pikësh rezulton dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU e Shpëtim Idrizit, mbi 2 pikë më shumë se në 2013.
Analiza e të dhënave sipas qarqeve e cila përkthehet edhe në mandate parlamentare, ofron një panoramë edhe më optimiste për socialistët, të cilët pritet të sigurojnë, sipas të dhënave të deritanishme, 9 deputetë më shumë, ose në total 74 vende në parlament. Për Partinë Demokratike, rënia me pak pikë përqindje, është shoqëruar me një humbje të një numri të konsiderueshëm prej 7 deputetësh, nga 50 që ka në parlamentin aktual në 43. Por nëse do të llogarisnim edhe 3 votat aktuale të republikanëve, atëherë humbja bëhet dhe më e rëndë.
Rritja në përqindje e LSI-së është përkthyer në 3 mandate më shumë, nga 16 që ka në parlamentin aktual. Ndërkohë që PDIU-ja, në krahasim me 2013, ka humbur një deputet duke zbritur në kuotën e 3 mandateve. Në zgjedhjet e kaluara ajo u favorizua nga pjesëmarrja në koalicion, ndonëse kishte gati gjysmën e votave të mbledhura këtë herë. Partia Socialdemokrate i gëzohet votave të kandidatit të saj Tom Doshi që duket se ka siguruar sërish një mandat në parlamentin e ri.
Socialistët e kanë të garantuar objektivin e shpallur nga kryeministri Edi Rama për të patur të vetëm kontrollin e shumicës parlamentare. Ndërkohë që Partia Demokratike ka pësuar një tjetër goditje pas asaj të 2013. Ajo rezulton fituese vetëm në qarkun e Kukësit dhe atë të Shkodrës. Në pak të tjera ka ruajtur të njëjtat kuota, ndërsa në pjesën më të madhe ka lënë mandate. Për z. Basha, në katër vitet e drejtimit të opozitës, kjo është humbja e dytë e rëndë pas asaj në zgjedhjet lokale të 2015. Kritikat që shoqëruan zgjedhjen e tij personale në listat e kandidatëve, me gjasë do të rizgjohen me forcë, ndërsa pas pak javësh ai do të duhet të përballet dhe me garën për drejtimin e ardhshëm të demokratëve. Menjëherë janë shfaqur zërat që kërkojnë dhe dorëheqjen e tij të menjëhershme për t’i hapur rrugë me shpejtësi procesit të zgjedhjeve në Partinë Demokratike. (VOA)