Firmosën Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e digjitalizimit dhe të sigurisë së informacionit

Ministri i Administratës Publike, Mr. Marash Dukaj dhe ministri i Ministrisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu kanë firmosur në Shkup Memorandum mirëkuptimi në fushën e digjitalizimit dhe të sigurisë së informacionit.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Administratës Publike, ministri Aliu ka përshëndetur firmosjen e kësaj marrëveshjeje, duke shprehur besimin se në këtë mënyrë do të avancohet shkëmbimi i informacioneve dhe i përvojës së mirë në fushën e digjitalizimit dhe të sigurisë së informacionit.
“Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi nga Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, është promovimi i bashkëpunimit dhe i përvojave më të mira në fushat që kanë lidhje me sigurinë e informacionit dhe të digjitalizimit, me kujdes të veçantë në bashkëpunimin ndërkombëtar, të çështjeve legjislative, të politikës strategjike, të ndërtimit të infrastrukturës digjitale, të edukimit në fushën e digjitalizimit, të vendosjes së shërbimeve elektronike, të fushës së ndërveprueshmërisë, duke kyçur këtu edhe ndërveprueshmërinë ndërkufitare si dhe adaptimin dhe promovimin e teknologjive të reja”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndërkaq, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj ka shprehur nder dhe kënaqësi që në emër të Ministrisë së Administratës Publike ka firmosur Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e digjitalizimit dhe të sigurisë së informacionit.
“Siguria kibernetike mbetet gjithnjë e më e rëndësishme në shoqëritë tona, duke marrë parasysh avancimin e shpejtë të teknologjisë dhe të varësisë gjithnjë e më shumë të sistemeve digjitale. Të gjitha shtetet në rajon përballen me kërcënime të shumta dhe për këtë arsye është i domosdoshëm bashkëpunimi rajonal ndërkombëtar për t’u mbrojtur në mënyrë efikase kundër këtyre kërcënimeve dhe të mbrojmë shoqërinë tonë, ekonominë dhe infrastrukturën”, është shprehur ministri i Administratës Publike, Mr. Marash Dukaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat