Ulqin – Pas shumë shtyrjesh, këto ditë ka filluar ndërtimi i segmentit rrugor Krythë-Ulqin, me gjatësi prej 13.5 kilometra, pjesë e rrugës Ulqin-Sukubinë.
Punimet me vlerë prej 5 824 687 euro do t’i kryejë kompania nga Danillovgradi “Met&Alu Plast”, e cila është shpallur fituese në tenderin e fundit. Punimet janë planifikuar të zgjasin 360 ditë, që do të thotë se do të përfundojnë në shtator të vitit të ardhshëm.
Investitor i projektit është Ministria e Transportit dhe e Detarisë, gjegjësisht Drejtoria për Komunikacion. Nga kjo ministri kanë bërë të ditur disa detaje teknike. Projektues kryesor i rrugës është inxhinieri i ndërtimtarisë Radivoje Mileusniq, mbikëqyrjen do ta bëjë firma “Građevinski nadzor i laboratorijska ispitivanja” nga Podgorica, kurse dokumentacionin teknik e kanë hartuar “DB inženjering” nga Beogradi, “Mehanizacija i programat” nga Nikshiqi, si dhe “Geotehnical Projects-Consulting”, “Tekton group” dhe “Institut sigurnost” nga Podgorica.
Paratë për ndërtimin e rrugës magjistrale Ulqin-Sukubinë janë siguruar nëpërmjet kredisë së Bankës Evropiane për Investim.
Për shkak të kryerjes së punimeve, firma ndërtuese ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të qarkullimit në këtë segment rrugor, në periudhën kohore nga ora 9.00-11.00 dhe 13.00-15.00.
Dy segmentet tjerë të kësaj rruge, Sukubinë-Katërkollë dhe Katërkollë-Krythë, kanë përfunduar vite më parë, ndërsa rikonstruktimi i segmentit rrugor Krythë-Ulqin, është shtyrë që disa vjet për arsye se, për shkaqe të ndryshme, kanë dështuar disa tendere për ndërtimin e këtij segmenti.
Ministria e Transportit dhe Detarisë, gjegjësisht Drejtoria për Komunikacion, ka sqaruar se aktivitetet për ndërtimin e këtij segmenti kanë filluar në vitin 2014, por ndërkohë kanë hasur në disa probleme që nuk janë varur prej tyre, por për shkak të procedurave të tenderit.
Segmenti rrugor Ulqin – Sukubinë konsiderohet një prej rrugëve me trafik të rënduar, sidomos gjatë sezonit të verës, kur edhe numri i automjeteve që kalojnë nëpër këtë rrugë dhe vendkalimin kufitar Sukubinë-Muriqan rritet ndjeshëm. i. k.